
Aksidenti me fatalitet në Komoran, arrestohet një i dyshuar
Një i vdekur dhe tetë të lënduar është bilanci i një aksidenti zinxhir që ka ndodhur pasditen e së hënës në Komoran, në të cilin kanë qenë të përfshira gjashtë vetura, shkruan Zeri.info.
Sipas raportit ditor të Policisë së Kosovës, viktima është femër, ndërkaq të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
Policia thekson se personi i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin, pas trajtimit mjekësor, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Po ashtu, Policia bën të ditur se deri tek aksidenti ka ardhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës.
Raporti i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:
Aksident trafiku me fatalitet
Komoran, Gllogoc / 11.08.2025 – 18:15. Si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes kushteve të rrugës gjashtë (6) automjete janë përfshirë në aksident trafiku në mes veti. Si pasojë e lëndimeve të marra në aksident një femër kosovare ka vdekur, si dhe lëndime trupore kanë pësuar 8 persona. Të lënduarit janë dërguar në trajtim mjekësor në QKUK. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi, ndërsa i dyshuari m/k, që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin, pas trajtimit mjekësor është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. /Zëri