Gjyqtari i rastit u avancua në Apel, anulohet seanca për krime lufte ndaj Momir Pantiqit dhe Zharko Zariqit
Foto: Laura Hasani

Gjyqtari i rastit u avancua në Apel, anulohet seanca për krime lufte ndaj Momir Pantiqit dhe Zharko Zariqit

Kronika September 02, 2025 - 11:59

Për shkak se gjyqtari i rastit, Valon Kurtaj, është avancuar në Gjykatën e Apelit, është anuluar seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Momir Pantiq si ish-kryeshef i stacionit policor në Istog dhe ish-polici Zharko Zariq, akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile.

Anulimin e seancës e kanë konfirmuar nga zyra e gjyqtarit Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, vetë gjyqtari Kurtaj, në seancën e 28 gushtit 2025, i ka njoftuar palët lidhur me mundësinë e anulimit të seancës e cila ishte planifikuar paraprakisht. Kishte thënë se lidhur me seancat e planifikuara do të njoftohen palët.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshefi i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiqi si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.

Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në komunën e Istogut. /BetimipërDrejtësi