Lirohen tre të dyshuarit të cilëve iu gjetën 1 milion euro në Merdarë

Lirohen tre të dyshuarit të cilëve iu gjetën 1 milion euro në Merdarë

Kronika February 27, 2026 - 23:46

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve E.A., A.K. dhe A.L., shtetas të Shqipërisë, të dyshuar për veprën penale “Shpëlarja e parave”.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, për Klankosova.tv tha se gjyqtari i Procedurës Paraprake përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, ndërsa të pandehurit janë liruar menjëherë, nga momenti i dorëzimit të këtij aktvendimi.

“Gjykata gjeti se në këtë rast nuk përmbushet kushti thelbësor nga neni 184 paragrafi 1 pika 1 .1 të KPPRK-së, përkatësisht Prokuroria nuk arriti të vërtetojë se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit E.A., A.K. dhe A.L., kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen, pasi sipas Gjykatës në kërkesën e Prokurorisë nuk është përmendur asnjë provë,  sado sipërfaqësore, në të cilën Prokuroria e mbështet pretendimin e saj lidhur me dyshimin e bazuar”, tha ajo për Klanin.

Sipas vendimit të gjykatës, kërkesës për caktimin e paraburgimit nuk i janë bashkëngjitur as provat minimale për këtë fazë të procedurës, siç janë procesverbali i kontrollit të automjetit e as vërtetimi për sekuestrim të sendeve, të cilat janë prova të domosdoshme për krijimin e bazës për caktimin e paraburgimit.

“Andaj duke u gjendur në këtë situatë dhe në mungesë të materialit provues, gjykata është e obliguar të zbatoj nenin 163 par.3 të KPPRK-së dhe të liroj të pandehurit E.A., A.K. dhe A.L.”.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte kërkuar paraburgim për tre të dyshuarit që u arrestuan më 24 shkurt, për veprën penale “shpëlarje parash”.

Ata u ndaluan në Merdarë teksa hynin në Kosovë me një furgon “Sprinter” me targa shqiptare, duke deklaruar se nuk kishin asgjë për të raportuar.

Gjatë kontrollit u zbuluan 18 pako me rreth 1 milion euro të fshehura në një hapësirë të modifikuar të automjetit.