Ndëshkohen dy shoferë, që zhvillonin gara shpejtësie në Ferizaj
Njësia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka ndalur të enjten mbrëma dy shoferë, të cilët po zhvillonin gara shpejtësie në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.
“Shoferët me inicialet A.K. (22 vjeç), i cili drejtonte një veturë të tipit VW Golf me targa vendore dhe A.K. (19 vjeç), i cili po ashtu drejtonte një veturë të tipit VW Golf me targa vendore, janë kapur në flagrancë duke zhvilluar gara shpejtësie. Për këto kundërvajtje të rënda në trafik, ndaj tyre janë shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 eurove, si dhe masa mbrojtëse – ndalim i së drejtës për të drejtuar automjetin për 12 muaj në territorin e Republikës së Kosovës, për shkak se posedonin patentë shoferi të huaj”, thuhet në raportin e Policisë.
"Policia Rajonale në Ferizaj u bën thirrje të gjithë shoferëve të shmangin garat e shpejtësisë, pasi ato përbëjnë rrezik serioz për jetën e tyre dhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Policia do të intensifikojë kontrollet në të gjitha rrugët e rajonit të Ferizajt, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik", thuhet tutje në raport. /Zëri