Sekuestrohen mallra të kontrabanduara në Ferizaj, vlera mbi 16 mijë euro
Policia e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme mallrash të kontrabanduara pas një aksioni të realizuar në Ferizaj.
Sipas njoftimit nga Policia, më 5 maj 2026, Njësia e Task Forcës – DRK Jug, pas pranimit të informatave për një depo të dyshuar, ka ndërmarrë veprime operative dhe hetimore që kanë rezultuar me zbulimin dhe sekuestrimin e mallrave.
Gjatë hetimeve, policia ka identifikuar një person të dyshuar, mashkull kosovar, i cili dyshohet se e ka përdorur depon për vendosjen e mallrave të kontrabanduara, të cilat dyshohet se janë futur në Kosovë përmes rrugëve ilegale nga Maqedonia e Veriut.
Pas sigurimit të urdhrit verbal nga prokurori kompetent, është kryer kontroll në lokacionin e dyshuar, ku janë sekuestruar:
800.4 kilogramë duhan i përpunuar,
94 kilogramë mjaltë,
30.4 kilogramë ambalazh plastik,
178 kilogramë ambalazh letre,
një makinë për përpunim të duhanit,
një makinë për përpunim të ambalazhit,
si dhe një spërkatëse uji për trajtimin e duhanit.
Vlera e përafërt e mallrave të sekuestruara llogaritet rreth 16,500 euro, ndërsa shmangiet nga akciza dhe detyrimet doganore arrijnë në rreth 34,000 euro.
Pas përfundimit të veprimeve policore, mallrat janë dorëzuar në Dogana e Kosovës për procedura të mëtejshme. /Zëri


