Dogana e Kosovës zbulon mall të padeklaruar në Vërmicë, vlera mbi dy mijë euro
Dogana e Kosovës ka zbuluar një sasi malli të padeklaruar gjatë procedurave të zhdoganimit në Zyrën e Brendshme Doganore në Vërmicë.
Mallrat ishin paraqitur për zhdoganim nga importuesi dhe, duke u bazuar në kriteret e analizës së rrezikut, ngarkesa është përzgjedhur për kontroll të detajuar nga zyrtarët doganorë.
"Gjatë verifikimit dhe krahasimit të dokumentacionit me gjendjen faktike të mallit, zyrtarët doganorë kanë konstatuar praninë e një sasie të padeklaruar të radarëve për sisteme kundër vjedhjes", thuhet në njoftim.
Sipas të dhënave nga zhdoganime të mëhershme për mallra të ngjashme, vlera e përafërt e mallit të padeklaruar vlerësohet të jetë rreth 2.050 euro.
Në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, mosdeklarimi i mallit përbën kundërvajtje doganore, pasi synon shmangien ose uljen e detyrimeve të importit që parashihen me legjislacionin në fuqi.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme, mbrojtjen e tregtisë së ligjshme dhe garantimin e konkurrencës së drejtë për të gjithë operatorët ekonomikë, duke kontribuuar në sigurinë dhe integritetin e tregut të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.