Gjatë fundjavës sekuestrohen armë dhe municion në rajonin e Pejës
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se gjatë fundjavës, më 6 dhe 7 qershor 2026, në disa lokacione të ndryshme janë realizuar aksione policore që kanë rezultuar me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme armësh dhe municioni.
Sipas Policisë, janë konfiskuar katër armë zjarri, duke përfshirë një pistoletë të tipit “Bereta”, një armë gjuetie të tipit “Uzumlu”, si dhe dy pistoleta të tipave “M57” dhe “TT”. Po ashtu, janë sekuestruar 25 fishekë, tre karikatorë, një jelek antiplumb, një thikë dhe një pajisje radiolidhjeje.
Në lidhje me këto raste janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të Shtetit, pesë prej tyre janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa njëri është ndaluar për 48 orë.