Prokuroria jep detajet e para për incidentin me armë në Podujevë

Prokuroria jep detajet e para për incidentin me armë në Podujevë

Kronika July 02, 2026 - 14:38

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka reaguar lidhur me rastin e të shtënave me armë që ndodhën pasditen e së enjtes në qendër të Podujevës, ku sipas Policisë së Kosovës tre persona kanë mbetur të plagosur.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, bëri të ditur se menjëherë pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes për të udhëhequr veprimet hetimore.

“Lidhur me rastin ju njoftojmë se pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Deri tani këto informata i posedojmë. Për më shumë informacione ju njoftojmë me kohë”, ka deklaruar Shala.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti është raportuar rreth orës 13:30.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, menjëherë pas pranimit të njoftimit njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Rreth orës 13:30 është pranuar informata për të shtëna me armë zjarri në Podujevë. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, nga informacionet e para, dyshohet se tre persona janë plagosur. Të njëjtët janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht njësitet policore po vijojnë me ndërmarrjen e veprimeve operativo-hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha Pllana.

Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditura motivet e incidentit dhe as identiteti i personave të përfshirë.