Aktakuzë tre personave për tentim të futjes së drogës në Burgun e Dubravës, zyrtari korrektues dyshohet se mori 1000 euro ryshfet

Aktakuzë tre personave për tentim të futjes së drogës në Burgun e Dubravës, zyrtari korrektues dyshohet se mori 1000 euro ryshfet

Kronika July 14, 2026 - 15:07

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për vepra penale që lidhen me shpërndarjen e paautorizuar të narkotikëve dhe korrupsionin.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me inicialet S.D., në cilësinë e zyrtarit korrektues në Qendrën Korrektuese në Dubravë, dyshohet se kishte tentuar të fuste në burg 85.61 gramë marihuanë, të destinuar për një të burgosur.

Sipas Prokurorisë, droga ishte fshehur në trupin e tij dhe u zbulua gjatë një kontrolli të kryer nga zyrtarët korrektues pas pranimit të informatave operative.

Po ashtu, T.T., i cili në kohën e ngjarjes ishte duke vuajtur dënimin në Qendrën Korrektuese në Dubravë, dyshohet se organizoi dhe koordinoi futjen e substancës narkotike në institucion, duke shtyrë të pandehurit e tjerë ta kryenin veprën në këmbim të një shpërblimi në të holla.

Ndërkaq, B.T. dyshohet se kishte siguruar dhe dorëzuar substancën narkotike me qëllim që ajo të futej në burg, si dhe i kishte ofruar 1.000 euro ryshfet zyrtarit korrektues për ta nxitur të vepronte në kundërshtim me detyrën zyrtare.

Me këto veprime, S.D. dhe B.T. akuzohen për veprën penale "Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge", ndërsa T.T. akuzohet për shtytje në kryerjen e kësaj vepre penale. B.T. përballet gjithashtu edhe me akuzën për "Dhënie të ryshfetit".

Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Për zyrtarin korrektues S.D. Prokuroria ka kërkuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues "Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik", në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. /Zëri