Arrestohet në Vushtrri personi që sulmoi zyrtarët policorë
Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Vushtrri, i dyshuar për veprat penale "Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve" dhe "Sulm ndaj personit zyrtar".
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi është kryer më 20 korrik, pasi i dyshuari, gjatë ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, fillimisht ka përdorur sprej ndaj tyre dhe më pas ka sulmuar fizikisht dy policë.
Si pasojë e incidentit, dy zyrtarët policorë dhe i dyshuari kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor, transmeton Zeri.info.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka sekuestruar si prova materiale dy sprej dhe dy thika.
Pas arrestimit dhe verifikimit të identitetit, autoritetet kanë konstatuar se i dyshuari ishte në kërkim me disa urdhëresa të gjykatave për vepra të ndryshme penale në territorin e Kosovës.
Me vendim të prokurorit kompetent, ndaj tij fillimisht është caktuar masa e ndalimit policor për veprat penale për të cilat dyshohet, ndërsa pas përfundimit të procedurave do të dërgohet në vuajtje të dënimit prej gjashtë vjetësh, në bazë të urdhëresave gjyqësore. /Zëri