Policia në veri arreston një të dyshuar për dëmtim të pronës, kishte edhe urdhërarrest aktiv
Policia e Kosovës ka arrestuar një person me inicialet M.P. (2001), i dyshuar për veprën penale “Dëmtim ose asgjësim i pronës”, pasi dyshohet se më 10 korrik 2026 ka dëmtuar dy automjete, duke i goditur me gurë në Mitrovicën e Veriut.
Sipas njoftimit të PK-së, pas hetimeve dhe veprimeve operative në terren, i dyshuari u lokalizua dhe u arrestua më 20 korrik 2026 në Mitrovicën e Veriut, raporton Zeri.info.
I dyshuari kishte arritur t’i shmangej arrestimit më 14 korrik, ndërsa edhe gjatë arrestimit të fundit tentoi të largohej, por u neutralizua nga zyrtarët policorë.
“Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari ka pranuar se i ka dëmtuar automjetet. Policia bëri të ditur se ndaj tij ishte në fuqi edhe një urdhërarrest i lëshuar nga gjykata për veprën penale ‘Kanosje’”, thuhet në njoftim.
Ai po ashtu figuron si i dyshuar edhe në dhjetë raste të tjera penale, duke përfshirë veprat “Vrasje”, “Nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit”, “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të cilat janë në procedurë pranë organeve të drejtësisë.
“Me urdhër të prokurorit të Shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Policia e Kosovës tha se mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe arrestimin e personave që kryejnë vepra penale dhe në sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e PK-së. /Zëri