“Duka” u ekstradua nga Spanja për në Kosovë, i dyshuar për rastin në “Bon Vivant”

“Duka” u ekstradua nga Spanja për në Kosovë, i dyshuar për rastin në “Bon Vivant”

Kronika August 07, 2026 - 09:47

Një shtetas kosovar i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar është ekstraduar nga Spanja në Kosovë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë përkatëse policore dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar më 6 gusht 2026 ekstradimin e të dyshuarit nga Spanja.

Bëhet fjalë për Dukagjin Nikollajn, i njohur me nofkën “Duka”, i cili ishte arrestuar nga autoritetet spanjolle pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me fletarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.

Sipas Policisë, Nikollaj dyshohet për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.

Ekstradimi është realizuar në bazë të ligjeve në fuqi dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve spanjolle. Pas mbërritjes në vend, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në Rajonin e Prishtinës për procedurat e mëtejshme ligjore.

Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare për parandalimin dhe hetimin e veprave kriminale, si dhe për kapjen e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.

Emri i Dukagjin Nikollajt ishte bërë i njohur për opinionin publik në Kosovë në gusht të vitit 2023, pas një përleshjeje me armë zjarri në lokalin “Bon Vivant” në qendër të Prishtinës.