Gjobitet shoferi që la pasagjerin të nxirrte gjysmën e trupit në dritaren e veturës
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shqiptuar dy gjoba ndaj të njëjtit kundërvajtës, pas publikimit të pamjeve në media dhe rrjete sociale.
Më 12 gusht 2026 shoferi kishte lejuar që pasagjerët në ulësen e pasme të nxirrnin një pjesë të trupit jashtë dritares së veturës. Pas publikimit të rastit në disa portale, Policia e ka ftuar shoferin dhe ndaj tij ka shqiptuar gjobë prej 100 eurosh.
Katër ditë më vonë, më 16 gusht, në rrjetet sociale është publikuar një tjetër video ku i njëjti kundërvajtës shihet duke kryer një kthim gjysmërrethor në mënyrë të vrullshme, duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Edhe për këtë rast Policia e ka ftuar shoferin dhe ndaj tij ka shqiptuar gjobë prej 150 eurosh.
Në total ndaj tij janë shqiptuar 250 euro gjoba për dy kundërvajtje të ndryshme në trafik. /Zëri