Detaje të reja nga ekzekutimi i babait dhe djalit në Dukagjin, autorët qëlluan me 50 plumba kallashnikovi
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ekzekutimin e babait dhe djalit, Lekë dhe Prel Gjoni, një ditë më parë në fshatin Mgull të Dukagjinit.
Dyshohet se ndaj fuoristradës, me të cilën udhëtonin dy viktimat dhe Lazer Bashi, i cili mbeti i plagosur, është qëlluar me rreth 50 plumba kallashnikovi.
Babë e bir po udhëtonin nga fshati Mgull në drejtim të Shkodrës, kur u zunë në pritë në një kthesë pranë fshatit Xhan, rreth dy kilometra larg rrugës që lidh zonën e Pultit me Shoshin, raporton euronews.al.
Pas breshërisë së plumbave, Lekë dhe Prel Gjoni humbën jetën në vendngjarje. Ndërkohë, Lazer Bashi, i cili ndodhej në sediljen e pasme të automjetit, mbijetoi.
Fillimisht ai mori ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe më pas u transportua drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Policia dyshon se në atentat kanë marrë pjesë më shumë se një person. Pas të shtënave, autorët dyshohet se janë larguar me një automjet fuoristradë.
Ende nuk është përcaktuar motivi i krimit. Një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e gjakmarrjes, pasi, sipas të dhënave paraprake, familja Gjoni ka qenë e përfshirë vite më parë në një hasmëri.
Megjithatë, grupi hetimor po shqyrton edhe pista të tjera për të zbardhur rrethanat dhe motivet që çuan në ngjarjen e rëndë, ku mbetën të vrarë dy persona dhe një tjetër u plagos.