Vrasje e rëndë në Prizren, një grua dyshohet se u ngufat nga bashkëshorti i saj
Foto: Zëri / Ilustrim

Vrasje e rëndë në Prizren, një grua dyshohet se u ngufat nga bashkëshorti i saj

Kronika August 26, 2026 - 12:45

Një grua është vrarë mesnatën e së mërkurës në Prizren. Dyshohet se ajo u ngufat nga bashkëshorti i saj.

Lajmin për “Zërin” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Ai ka thënë se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Më datë 26 gusht 2026, rreth orës 01:30, Policia e Kosovës ka pranuar informatën se në një shtëpi banimi në Prizren është gjetur pa shenja jete një femër 80-vjeçare (L.D.). Në vendngjarje kanë dalë patrulla policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Në shtëpi është hasur edhe bashkëshorti i saj, i cili është shoqëruar në stacionin policor. Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit e Policisë, forenzikës dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’. Dyshohet se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës janë shkaktuar nga forca duarthatë, pa përdorim të ndonjë arme ose mjeti tjetër. Trupi i pajetë është dërguar në IML Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor, ndërsa i dyshuari, bashkëshorti i viktimës, rreth 81 vjeç (B.D.) është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë”, ka treguar Bytyqi.

Tutje ai ka thënë se janë duke u vazhduar hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit.

“Vlen të theksohet se, sipas evidencave të Policisë, çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës të raportuara dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre. Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të rastit”, tha Bytyqi.

Të hënën e 24 gushtit Kosova u trondit nga një tjetër vrasje, e një gruaje shtatzënë në Malishevë. I dyshuari kryesor edhe në këtë rast është bashkëshorti i saj. /Zëri