Një muaj paraburgim personit që dyshohet për vrasjen e motrës dhe tentim vrasjen e nënës në Klinë
Foto: Laura Hasani

Një muaj paraburgim personit që dyshohet për vrasjen e motrës dhe tentim vrasjen e nënës në Klinë

Kronika September 09, 2026 - 12:25

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit B.Z., i cili dyshohet për vrasjen e motrës së tij dhe tentim vrasjen e nënës. Masën e paraburgimit i pandehuri do ta mbajë në Institucionin e Kujdesit Shëndetësor.

B.Z. dyshohet se më 6 shtator në fshatin Poterq të Klinës ia kishte vënë flakën krevatit ku ndodhej motra e saj, e cila si pasojë e lëndimeve vdiq më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ai po ashtu dyshohet se me mjet të fortë kishte goditur nënën e tij, duke tentuar ta privojë nga jeta. Pas arrestimit, i dyshuari ishte dërguar në Psikiatri.

Gjykata njoftim se vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake Armend Lokaj, pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

B.Z. dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga Neni 173, par. 1, pika 1.3 lidhur me Nenin 18 të Kodit Penal, dhe veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” nga Neni 173, par. 1, pika 1.3 lidhur me Nenin 28 dhe 18 të KPRK-së.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore me datë 09.09.2026 gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur që të pandehurit B.Z. t’i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke filluar nga data e arrestimit me datë 06.09.2026 ora 19:25 dhe do të zgjasë deri me datën 06.10.2026 ora 19:15. I pandehuri B. Z., paraburgimin e caktuar do ta mbajë në Institucionin e Kujdesit Shëndetësor”, thuhet në njoftim.

Sipas Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar në bazë të Nenit 184, par. 1, nënpar 1.1. dhe 1.2 pika 1.2.1 dhe pika 1.2.3 lidhur me Nenin 509 të KPPK- së.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 48 orësh në Gjykatën e Apelit.