Përkujtohet “mbretëresha e këngës”, Nexhmije Pagarusha
Foto: Zëri

Përkujtohet “mbretëresha e këngës”, Nexhmije Pagarusha

Kultura May 07, 2024 - 16:24

Më 7 maj të vitit 1933, në fshatin Pagarushë afër Malishevës, lindi Nexhmije Pagarusha.

Ajo njihet si një ndër këngëtaret shqiptare me zërin më të veçantë dhe më të fuqishëm që kemi pasur deri më sot.

“Mbretëresha e Muzikës Shqiptare”, mori famë në Shqipëri dhe në vendet fqinje, në sajë të vokalit të saj të veçantë prej sopranoje.

Pagarusha ndoqi shkollën e muzikës në Beograd dhe nisi karrierën e këngëtares në vitin 1948, në valët e Radio Prishtinës.

Artin e këndimit e lëvroi për 4 dekada në disa zhanre: muzikën folklorike, klasike, si edhe duke interpretuar në opera.Kënga që gëzon më shumë popullaritet në repertorin e saj është “Baresha”, e cila është vlerësuar me çmime të shumta. Koncerti i fundit i Pagarushës u mbajt në vitin 1984, në Sarajevë.

Nexhmije Pagarusha u nda nga jeta më 7 shkurt të vitit 2020, por vazhdon të jetë frymëzim për gjeneratat pas saj.