Ekspozita e Stephanie Rizajt në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Ekspozita e Stephanie Rizajt në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Kultura June 05, 2026 - 14:54

Në një hapësirë ku objektet e përditshme marrin kuptime të reja përtej funksionit të tyre fillestar, një instalacion i ri sjell në vëmendje mënyrën sesi veshjet dhe materialet vazhdojnë të jetojnë edhe pasi largohen nga përdorimi i parë.

Ato shndërrohen në bartëse historish, duke mbajtur gjurmë të vendeve dhe rrugëtimit të tyre përtej kufijve. Pikërisht në këtë hapësirë të ndërmjetme mes të dukshmes dhe të heshturës,është hapur ekspozita më e re e artistes Stephanie Riza në Galerinë Kombëtare të Kosovës (Qafa), e cila vjen si një reflektim i gjerë mbi jetën e materialeve që vazhdojnë të ekzistojnë përtej përdorimit të tyre fillestar. 

Në praktikën e saj artistike, Rizaj trajton mënyrën se si objektet e përditshme bartin histori që udhëtojnë nëpër kontinente, nga prodhimi dhe shitja e deri te ajo që mund të quhet “jeta pas përdorimit”. Përmes një qasjeje që ndërthur tekstilin, skulpturën dhe objektet e gjetura, ajo krijon një hapësirë ku vlera dhe kuptimi mbeten në ndryshim të vazhdueshëm, duke reflektuar mbi identitetin, lëvizjen dhe qarkullimin global të veshjeve.

Ekspozita paraqet një instalacion modular, ku tekstilet e varura nga tavani, zinxhirët metalikë dhe elementet skulpturore krijojnë një ambient që ngjan me një strukturë të hapur tranziti. Në qendër të instalacionit qëndrojnë etiketat e zmadhuara të marra nga veshje të dorës së dytë, të cilat janë transformuar në forma abstrakte. Të shkëputura nga funksioni i tyre fillestar informues, ato nuk identifikojnë më markën apo origjinën e produktit, por shndërrohen në gjurmë vizuale të historive që mbartin rrobat gjatë udhëtimit të tyre.

Në një prononcim për KultPlus, kuratorja e ekspozitës, Vanessa Joan Müller, e përshkruan instalacionin si një version abstrakt të një dyqani tekstilesh, ku radhët e materialeve të varura krijojnë ndjesinë e një hapësire tregtare të transformuar në përvojë artistike.

Sipas saj, elementi më domethënës i ekspozitës janë pllakat e vogla të aluminit të vendosura në secilin komponent të instalacionit, të cilat paraqesin etiketa të zmadhuara të veshjeve. “Nuk mund t’i lexosh më emrat e markave. Ato janë shndërruar në forma të reja, ku identiteti tregtar humbet dhe mbetet vetëm historia e objektit”, shpjegon Müller.

Kuratorja tregon se ideja e projektit lindi nga interesimi i artistes për fatin e veshjeve që nuk shiten në tregjet e dorës së dytë. Gjatë kohës kur jetonte në Belgjikë, Rizaj frekuentonte shpesh dyqanet e veshjeve të përdorura dhe nisi të interesohej për rrugëtimin e tyre pas largimit nga raftet. Pikërisht aty mësoi se një pjesë e madhe e tyre transportohen drejt tregjeve të tjera, kryesisht në vende afrikane si Gana apo Nigeria, duke kaluar vazhdimisht nga një përdorues te tjetri.

“Ekspozita flet për ciklin e veshjeve dhe mënyrën se si ato vazhdojnë të udhëtojnë. Një etiketë mund të tregojë se materiali është prodhuar në një vend, është përpunuar në një tjetër dhe më pas ka përfunduar në një treg krejt tjetër. Kjo lëvizje e vazhdueshme krijon identitete të reja për objektin”, shprehet ajo.

Müller e lidh këtë proces edhe me përvojat njerëzore, duke theksuar se historia e veshjeve shpesh pasqyron historinë e individëve që lëvizin ndërmjet vendeve dhe kulturave të ndryshme. Ajo përmend edhe vetë artisten, e cila ka lindur në Austri, ka rrënjë nga Kosova dhe është shkolluar në Belgjikë.

“Ka një paralele mes mënyrës se si udhëtojnë veshjet dhe mënyrës se si lëvizin njerëzit. Ne jetojmë në vende të ndryshme, përshtatemi me kultura të reja, mësojmë gjuhë të reja dhe krijojmë identitete që ndërtohen nga përvoja të shumta. Kjo ide është e pranishme edhe në ekspozitë”, thotë kuratorja.

Duke folur për përvojën e saj në Kosovë, Müller shprehet se është befasuar pozitivisht nga skena artistike vendore. “Nuk kisha një ide të qartë se çfarë të prisja, por mbeta e impresionuar nga numri i artistëve të rinj dhe energjia krijuese që gjeta këtu”, deklaron ajo.

Për artistët e rinj, ajo ka edhe një mesazh të qartë: “Qëndroni pranë asaj që dëshironi të bëni. Ruani kureshtjen, shikoni se çfarë krijojnë të tjerët, udhëtoni kur keni mundësi dhe mbetuni mendjehapur ndaj përvojave të reja.”

Nga ana tjetër, artistja Stephanie Rizaj, e cila prej vitesh zhvillon praktikën e saj artistike në fushën e artit rreth 16 vitesh. Për të, pyetjet rreth origjinës së materialit, prodhimit dhe kuptimeve që mbart një objekt kanë qenë gjithmonë pjesë e praktikës së saj artistike.

“Më ka interesuar gjithmonë të di se ku është prodhuar diçka, çfarë do të thotë materiali që veshim dhe kush qëndron pas procesit të prodhimit. Këto janë pyetje që më kanë shoqëruar vazhdimisht në punën time”, thotë ajo për KultPlus.

Sipas artistes, instalacioni mund të lexohet edhe si një metaforë e shoqërisë. Nga larg, veprat krijojnë përshtypjen e një strukture të vetme, por kur afrohet, vizitori zbulon dallimet dhe individualitetin e secilit element.

“Kur e sheh nga afër, çdo pjesë ka historinë, modelin dhe ngjyrën e vet. Edhe pse jetojmë së bashku në të njëjtën botë, secili bart përvojën e tij. Kjo është diçka për të cilën mendoj shumë dhe që reflektohet në punën time”, shprehet Rizaj.

Ajo shton se nuk dëshiron t’i imponojë publikut një interpretim të vetëm të veprave të saj. Edhe kur trajton tema më të rënda përmes videove apo filmave, preferon të lërë hapësirë që secili vizitor të krijojë leximin e vet.

“Nuk më pëlqen të them se puna është saktësisht për këtë apo atë. Dua që secili të ketë mundësinë ta interpretojë në mënyrën e vet”, thotë artistja.

Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës lidhet me koleksionimin e etiketave të veshjeve, një proces që ka zgjatur për rreth pesë vjet. Rizaj tregon se fillimisht nuk kishte menduar kurrë se ky koleksion do të bëhej pjesë e një ekspozite artistike.

“Nisi thjesht si diçka që më dukej interesante. Mblidhja etiketa sepse më pëlqenin dhe sepse kam qenë gjithmonë e interesuar për modën, tekstilin dhe origjinën e materialeve. Me kalimin e kohës, koleksioni u rrit dhe gradualisht u shndërrua në pjesë të procesit tim artistik”, shprehet ajo.

Tema e identitetit mbetet gjithashtu një shtyllë e rëndësishme në praktikën e saj. E rritur mes kulturave dhe realiteteve të ndryshme, Rizaj e sheh përkatësinë si një proces të vazhdueshëm negocimi mes kujtesës, zgjedhjeve personale dhe mjediseve ku jeton.

“Jam rritur mes dy kulturave dhe kjo ka qenë gjithmonë pjesë e mënyrës se si e kuptoj identitetin. Austria është vendi ku kam lindur, Kosova është diçka që e ndjej në zemër, ndërsa Belgjika është vendi që e zgjodha vetë. Të gjitha këto përvoja bashkë formojnë atë që jam sot”, përfundon artistja.

Përmes kësaj ekspozite, Stephanie Rizaj sjell një reflektim mbi mënyrën se si objektet dhe materialet vazhdojnë të bartin histori edhe pasi largohen nga funksioni i tyre fillestar. Duke përdorur tekstilin si medium kryesor, ajo fton publikun të mendojë mbi rrugëtimet e padukshme të veshjeve, ciklin global të konsumit dhe lidhjen mes materialit, identitetit dhe kujtesës. Në hapësirën e Galerisë Kombëtare të Kosovës (Qafa), ekspozita shndërrohet në një rrëfim të hapur mbi lëvizjen, transformimin dhe historitë e shumta që fshihen pas sendeve të zakonshme të jetës së përditshme. /kultplus

Image

Image

Image
Image
Image