Festivali Ndërkombëtar i Monodramës kthehet me edicionin e 18-të në Kosovë

Festivali Ndërkombëtar i Monodramës kthehet me edicionin e 18-të në Kosovë

Kultura June 07, 2026 - 15:03

Prishtina do të jetë sërish qendra e artit skenik ndërkombëtar me nisjen e edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë, MONOAKT 2026. Hapja solemne e festivalit do të mbahet më 7 qershor në teatrin Dodona, duke filluar nga ora 19:30, ndërsa organizatorët kanë ftuar publikun që të bëhet pjesë e kësaj ngjarjeje të veçantë kulturore dhe artistike.

Festivali, i organizuar nga Shtëpia Teatrore Filmike AKT, sjell edhe këtë vit një program të pasur me monodrama, punëtori teatrore, konferenca ndërkombëtare, ekspozita dhe aktivitete të ndryshme kulturore, duke bashkuar artistë nga vende të ndryshme të botës.

Mbrëmja hapëse do të shënohet me ceremoninë solemne të festivalit, pas së cilës do të shfaqet monodrama “Arka” nga Kosova. Programi i festivalit përfshin gjithashtu ekspozitën teatrore nga Uzbekistani dhe Gjermania, si dhe një konferencë ndërkombëtare kushtuar themelimit të Qendrës së Monodramës.