RTSH-ja hap aplikimet për Festivalin e Këngës 65, nis gara për Eurovision 2027
Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH) ka hapur zyrtarisht aplikimet për edicionin e 65-të të Festivalit të Këngës, i cili pritet të shërbejë edhe këtë vit si përzgjedhja kombëtare e Shqipërisë për Eurovision Song Contest 2027.
RTSH-ja ka ftuar artistët dhe kompozitorët shqiptarë të dorëzojnë këngët e tyre për festivalin, duke synuar të ndjekin rrugën e artistëve që kanë përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision ndër vite, transmeton Zeri.info.
Sipas rregullores së publikuar, këngët duhet të jenë origjinale dhe të papublikuara më parë, me kohëzgjatje maksimale prej katër minutash. Interpretuesit duhet të jenë të paktën 17 vjeç, ndërsa kënga duhet të jetë në gjuhën shqipe.
RTSH-ja ka vendosur gjithashtu që çdo këngë e krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale gjeneruese (AI) do të skualifikohet automatikisht, me synimin për të ruajtur autenticitetin artistik të festivalit.
Aplikimi duhet të përfshijë këngën, versionin orkestral me vokale mbështetëse në format MP3, tekstin në format Ëord, si dhe të dhënat e autorëve dhe interpretuesve. Artistët që aplikojnë për herë të parë duhet të bashkëngjisin edhe një fotografi.
Sipas rregullores, një këngëtar mund të marrë pjesë vetëm me një këngë, ndërsa një kompozitor mund të konkurrojë me vetëm një krijim, duke përfshirë edhe bashkëautorësitë.
Këngët do të shqyrtohen nga një komision përzgjedhës, i cili do të vendosë se cilat prej tyre do të garojnë në netët live të Festivalit të Këngës 65.
Kujtojmë se këtë vit Shqipëria u përfaqësua nga Alis me këngën “Nan”, ndërsa u radhit i 13-ti në finalen e Eurovisionit në Vienë.
Eurovisioni i vitit të ardhshëm do të mbahet në Bullgari, derisa gara mes dy qyteteve bullgare Burgas dhe Sofia, po vazhdon ende për ta organizuar festivalin më të ndjekur të këngës në Evropë. /Zëri