“Kuq e Zi” libri më i ri me poezi dhe lojëra për fëmijë

“Kuq e Zi” libri më i ri me poezi dhe lojëra për fëmijë

Kultura October 11, 2026 - 16:25

“Kuq e Zi” është libri më i ri i shkrimtares së njohur për fëmijë Rovena Rrozhani, e cila këtë herë sjell për lexuesit e vegjël një libër kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë, rëndësisë së gjuhës shqipe dhe rolit të shkollës shqipe në ruajtjen e identitetit dhe ekzistencës së popullit shqiptar.

“Ky libër i kushtohet Ismail Qemal Vlorës dhe të gjithë patriotëve që luftuan për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, pasardhësve të tyre, fëmijëve shqiptarë dhe brezave që do të vijnë”, shkruan autorja në hyrje të librit.

Dhe ashtu siç shkruan autorja, figura e Ismail Qemalit, një prej personaliteteve më të rëndësishme të historisë së Pavarësisë, zë një vend të veçantë në libër. Përmes fakteve dhe kurioziteteve, fëmijët njihen me aspekte më pak të njohura të jetës dhe veprimtarisë së tij, disa prej të cilave vijnë drejtpërdrejt nga arkivi i familjes Vlora, pasardhës të Ismail Qemalit.

Stërnipi i Ismail Qemalit, Darling Vlora shkruan ndër të tjera në parathënien e librit: “Unë kam pasur fatin që historinë që çoi në atë ditë, ta njihja mirë qysh kur isha i vogël. Nuk e mësova nga librat, shkolla apo televizioni, sepse në atë kohë, kur vendi ynë ndodhej nën një sistem diktatorial, flitej fare pak për atë ngjarje të madhe e shpesh, me shtrembërime. E mësova në familje, nga tregimet e babait tim, i cili ishte djali i djalit të atij Plaku legjendar që shpalli Pavarësinë dhe ngriti flamurin më 28 Nëntor 1912 dhe që denjësisht trashëgonte edhe emrin e tij, Ismail”.

Libri përmban 15 poezi, që sjellin për fëmijët momente historike, atmosferën festive të Pavarësisë, por edhe tema që nxisin reflektimin mbi gjuhën, identitetin dhe atdheun. Poezitë shoqërohen me 15 lojëra dhe aktivitete, përmes të cilave leximi bëhet edhe argëtues, edhe edukativ. Rebuset, fjalëkryqet dhe lojërat e tjera ndihmojnë në zhvillimin e aftësive gjuhësore dhe të të menduarit, duke i përfshirë fëmijët në mënyrë aktive në përmbajtjen e librit.

Një tjetër pjesë shumë e rëndësishme e librit janë 20 grimca historike dhe kuriozitete mbi Pavarësinë, gjuhën shqipe, përpjekjet për hapjen dhe zhvillimin e shkollës shqipe, si dhe mbi jetën e Ismail Qemalit. Ato janë shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe të përshtatshme për fëmijët, duke e bërë më të lehtë për ta njohjen dhe përvetësimin e informacionit. Në disa raste, këto grimca historike shoqërohen me fotografi dhe dokumente arkivore, duke u dhënë fëmijëve mundësinë të njihen jo vetëm me letërsinë dhe historinë, por edhe me gjurmët dokumentare të së kaluarës. Libri mbyllet me Deklaratën e Pavarësisë, duke e çuar lexuesin drejt një prej momenteve më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.

“Ngado që të shkojmë, kudo që të jemi, atdheu gjen mënyrën për të qenë gjithmonë me ne… Është një copëz zemre që secili e mban sipas mënyrës së vet. Ky libër është një mënyrë! Uroj t’i bashkohet zemrës suaj!”, është edhe mesazhi i shkrimtares Rovena Rrozhani për lexuesit e vegjël.

Redaktore letrare e librit është shkrimtarja për fëmijë Adelina Mamaqi ndërsa redaktorët shkencorë të librit janë prof. asoc. dr. Dritan Egro dhe prof. asoc. dr. Albana Ndoja

Rovena Rrozhani është e njohur për botimet e saj në letërsinë shqipe për fëmijë. Ndër botimet e saj, përmendim “Fani në kërkim të dritës”, “Lëndina e arushëve”, “Rozi dhe domatja kërcimtare”, “Sekreti i fshehur në libra” etj.