
Buxheti për barna rritet, produktet mungojnë
Barnat esenciale të cilat janë produkte kyçe për trajtimin e pacientëve, në Kosovë mungojnë.
Qytetarët vazhdimisht janë në kërkim të dhjetëra barnave, e dyert e vetme të cilat ata i trokasin përditë, janë barnatoret private e qendrore, në hall për të gjetur ilaçin përkatës e me çmim të volitshëm.
Sipas Gazetares së Shëndetësisë, Saranda Ramaj, buxheti i 2013-ës për barna ishte modest, por në zhvillimet e mëpasshme shifrat u rritën shumë.
Ndonëse u bë ky zgjerim buxhetor, mungesa e barnave thelbësore mbetet shqetësuese.
Ramaj shtron vetëm një pyetje kryesore, se pse nuk ka një furnizim të qëndrueshëm kur paratë janë në dispozicion.
E situata e krijuar, sipas Ramaj ndodh për disa arsye, duke nisur nga menaxhimi i kontratave të operatorëve ekonomik e deri te kontrollimi i tyre nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
E kjo sipas gazetares RamaJ, vë në pah faktin që e gjithë kjo situatë e krijuar, është e dëmshme për pacientët.
Sipas saj, ndonëse buxheti është rritur, përmirësimi i gjendjes nuk duket askund.
Por nëse kjo qeveri del thotë buxheti është historik, nëse është historik mungesat nuk do të duhej të ishin bazike.
Saranda Ramaj, javëve të fundit ka marrur telefonata të shumta nga njerëzitë duke e pyetur për produkte dhe pajisje medicinale e ku mund ti gjenin ato.
Rasti më i fundit, sipas saj qe mungesa e albuminave, proteinë kjo që gjendet në plazmën e gjakut dhe përdoret në mjekësi si infuzion për të trajtuar situata të ndryshme, si humbje gjaku, mungesë proteinash në plazmë, apo kushte të rënda.
Mungesa e barnave bazike sipas Ramaj rritë gjasat edhe për mashtrime.
Pacientët detyrohen të blejnë medikamentet që ua përshkruan mjeku me çmime shumë më të larta në tregun privat, përderisa institucionet shtetërore nuk sigurojnë zgjidhje.
Ramaj përveç mungesës operative, thekson edhe mungesën e përgjegjësisë institucionale.
Transparenca e tyre ndaj publikut dhe gazetarëve, thotë të jetë zero.
Gazetarja e Shëndetësisë, shton që në një vend demokratik nuk do të kishte nevojë që gazetarët të pyesnin institucionet përgjegjëse për mungesën e barnave dhe arsyet.
Për to, ata do të duhej të flisnin publikisht, çdoherë, sipas saj.
Përfundimisht, Ramaj thotë që do të duhej të kishte politika intersektoriale që mund të zgjidhte shumë probleme në shëndetësi.
Sipas saj, ajo që do të duhej të bëne ShSKUK-ja është të inicionte masa për mungesat e barnave që ndodhin nga dështimi në planifikime.