Si ndodhi aksidenti tragjik që i mori jetën fituesit të 'X Factor Albania' dhe shokut të tij (FOTO)

Showbiz November 21, 2016 - 23:40

Ergi Dini, këngëtar – fituesi i “X Factor Albania 2014”, ndërroi jetën këtë mbrëmje së bashku me shokun e tij Kejdi Halili, në një aksident tragjik rrugor në zonën e ish-bllokut në Tiranë.

Të rinjtë, 22 dhe 21 vjeç udhëtonin me një motor me targë "AP 105".

Sipas informacioneve të para të policisë, drejtuesi i motorit ka humbur kontrollin dhe për pasojë motori është rrëzuar.

Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 21:20 në bulevardin “Bajram Curri” pranë urës së “Bllokut”. Sipas hetimeve të para, mendohet që motori të mos ketë qenë me shpejtësi të madhe, por një manovër e gabuar e shoferit ka cuar në humbjen e kontrollit.

Të rinjtë janë rrëzuar bashkë me motorin dhe derisa janë rrëzuar në asfalt kanë pësuar goditje në kokë dhe trup nga vetë motori që ka kaluar mbi trupin e tyre.

Ata kanë marrë plagë të mëdha dhe janë dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Por pavarësisht trajtimit mjekësor të marrë, nuk kanë mundur t’i mbijetojnë plagëve dhe kanë ndërruar jetë rreth orës 21:50.

Policia thotë zyrtarisht se grupi hetimor në vendin e ngjarjes po kryen veprimet hetimore. /Gazeta Express/

Image