Lizzo tërhiqet nga muzika pas akuzave për ngacmim seksual

Lizzo tërhiqet nga muzika pas akuzave për ngacmim seksual

Showbiz March 30, 2024 - 19:43

Lizzo ka vendosur të largohet nga muzika, duke thënë se është lodhur me talljet në internet për pamjen dhe karakterin e saj. Ky vendim vjen disa muaj pas akuzave për ngacmim seksual. Këngëtarja fituese e Grammy-t u akuzua nga balerinët për ngacmim ndërsa thuhet se i detyronte të bënin gjëra të ndryshme.

“Po lodhem duke e duruar që të gjithë në jetën time dhe në internet të më tërheqin zvarrë. Gjithçka që dua është të bëj muzikë dhe t’i bëj njerëzit të lumtur dhe të ndihmoj botën të jetë pak më e mirë se sa e gjeta unë. Por kam filluar të ndihem sikur bota nuk më do mua në të.”, u shpreh këngëtarja 35 vjeçare.

“Unë jam vazhdimisht kundër gënjeshtrave që thuhen për mua për ndikimin dhe pamjen…të qenit shtylla e talljeve çdo herë për shkak të pamjes sime. Karakteri im po zgjidhet nga njerëz që nuk më njohin dhe nuk e respektojnë emrin tim.”, shkroi ajo duke nënkuptuar më pas se do të largohej nga muzika.

Gushtin e kaluar, Lizzo dhe kompania e saj e prodhimit u paditën nga ish-balerinët Arianna Davis, Crystal Williams dhe Noelle Rodriguez, të cilët e akuzuan atë për ngacmim seksual dhe krijimin e një mjedisi armiqësor pune. Në atë kohë, ylli i pop-it tha se pretendimet “aq të pabesueshme sa duken”.

Të enjten, Lizzo u shfaq në Radio City Music Hall në Nju Jork për një mbledhje fondesh për presidentin e SHBA. Një avokat, që përfaqëson tre balerinët që ngritën padi, tha se ishte “e turpshme” që këngëtarja kryesoi një mbledhje fondesh në Radio City për Presidentin Joe Biden “mes akuzave të tilla skandaloze”./abcnews