Fqinjët kundërshtojnë planet e Rita Orës për ndërtimin e një palestre gjigante në kopshtin e shtëpisë së saj në Londër

Fqinjët kundërshtojnë planet e Rita Orës për ndërtimin e një palestre gjigante në kopshtin e shtëpisë së saj në Londër

Showbiz September 09, 2025 - 10:02

Këngëtarja Rita Ora mund të ketë folur më herët për përkushtimin e saj ndaj mjedisit, por fqinjët e saj janë të zemëruar me planet e saj për të ndërtuar një palestër të madhe në kopshtin e fundosur të vilës së saj prej 7.5 milionë funtesh (8.6 milionë euro).

Artistja 34-vjeçare, e cila e bleu katër vite më parë pronën e listuar si ndërtesë e kategorisë II në Primrose Hill, Londër, synon të shkatërrojë elementë të jashtëm që kanë qenë aty për gati 150 vjet, shkruan DailyMail.

Por fqinjët kanë paraqitur ankesa të forta, duke e cilësuar projektin si një “shëmtim” dhe duke e akuzuar këngëtaren për hipokrizi, pasi sipas tyre, me këtë veprim po rrezikon një habitat natyror delikat.

Në letrën e tyre drejtuar Këshillit të Camden-it, fqinjët shkruajnë: “Ironikisht, pronarja aktuale ka deklaruar publikisht se dëshironte të ruante dhe nderonte trashëgiminë e këtij kopshti të fundosur, të cilin e ka përshkruar si një strehë për fluturat, zogjtë dhe madje edhe pallonj që janë parë aty ndër vite. Të shkatërrosh këtë ekosistem natyror për të ndërtuar një palestër moderne është krejtësisht në kundërshtim me trashëgiminë dhe qetësinë që përfaqëson kjo pronë e mbrojtur”.

Situata bëhet edhe më e sikletshme pasi ata përmendin një artikull që vetë Rita kishte shkruar më parë për revistën Architectural Digest, ku kishte lavdëruar kopshtin e saj: “Mirësevini në atë që unë e quaj pjesën time të vogël të parajsës… këtu qëndrojnë fluturat. Nuk doja të vendosja shumë elementë elektrikë në këtë pjesë sepse ndieja që qëllimi i këtij kopshti të fundosur ishte të mbetej thjesht një kopsht”.

Fqinjët paralajmërojnë se ndërtimi i palestrës do të shkatërrojë qetësinë dhe mund të shkaktojë shqetësime nga zhurma dhe dritat.

Kjo nuk është hera e parë që këngëtarja e hitit “Hot Right Now” përballet me debate të tilla – më parë ajo ka pasur mosmarrëveshje të ngjashme për zhurmën edhe në dy rezidenca të tjera në Londër.

Një zëdhënës i këngëtares ka refuzuar të komentojë mbi këtë çështje. /Telegrafi