Aktorja Eliza Dushku nderohet me çmimin “Doctor Honoris Causa” nga “Lesley University”

Aktorja Eliza Dushku nderohet me çmimin “Doctor Honoris Causa” nga “Lesley University”

Showbiz May 26, 2026 - 08:57

Fundjavën e kaluar aktorja hollivudiane me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, u nderua nga “Lesley University” me titullin “Doctor Honoris Causa”, një doktoratë nderi, në ceremoninë e diplomimit të vitit 2026.

Eliza Dushku u vlerësua për kontributin dhe punën e saj të jashtëzakonshme në fushën e shëndetit mendor, trajtimit të traumave dhe promovimit të terapive inovative.

Pasi u largua nga aktrimi në vitin 2017, ajo u diplomua në të njëjtin universitet për Psikologji Holistike (Bachelor) dhe më pas për Këshillim Klinik të Shëndetit Mendor (Master). Dushku është certifikuar dhe ka punuar aktivisht në kërkimin dhe aplikimin e terapive të asistuara me psikodelikë për trajtimin e personave që vuajnë nga PTSD dhe çrregullime të sistemit nervor. Gjithashtu, ajo punon si terapiste në programin Home Base dhe shërben në bordin e organizatës VETS, duke ndihmuar veteranët e luftës dhe familjet e tyre të kurojnë plagët e padukshme të traumës.

“Lesley University” e vlerësoi Eliza Dushkun si një shembull të fuqishëm të transformimit personal dhe përkushtimit për t’i shërbyer shërimit të komunitetit.

Dushku, e cila ka prejardhje shqiptare, u bë e njohur që në moshë të re në industrinë e filmit amerikan. Ajo fitoi famë ndërkombëtare me rolin e saj si Missy në filmin Bring It On. Më pas, aktorja e zgjeroi karrierën e saj me role në filma të zhanrit thriller dhe horror, përfshirë Wrong Turn, si dhe me prezencë të vazhdueshme në televizion. Eliza Dushku u tërhoq nga karriera filmike në moshën 33-vjeçare.

“Kthimi në Lesley për t’u folur të diplomuarve të këtij viti dhe për të marrë këtë njohje nga profesorët dhe mentorët që ndihmuan në formësimin e atij udhëtimi, ishte mrekullisht emocionuese dhe diçka që do ta mbaj me vete për një kohë të gjatë. Sigurisht që sot ka një nevojë të vërtetë në botë për njerëz të kujdesshëm dhe të dhembshur, të gatshëm të ulen vërtet pranë njëri-tjetrit dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin”, u shpreh Eliza Dushku.