Mediet e huaja shkruajnë për pritjen madhështore që iu bë Majlinda Kelmendit

Sport August 14, 2016 - 21:45

Pritja që iu bë Majlinda Kelmendit në Kosovë pas kthimit në RIO 2016, ka marrë vëmendjen edhe të medieve të huaja.

Xhudistja 25 vjeçare është kthyer me medalje të artë në Kosovë, në pjesëmarrjen e parë në Lojërat Olimpike që po mbahen në RIO.

Për kampionen olimpike është organizuar pritje institucionale në aeroportin ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, ndërsa pastaj ka parakaluar rrugëve të Prishtinës me autobus të hapur, ku është përshëndetur nga qindra mbështetës, që e uronin për ngritjen e flamurit të Kosovës në Rio.

“Fituesja e parë olimpike e Kosovës pritet si heroinë”, shkruan Reutres, përcjell Lajmi.net.

“Mijëra qytetarë mësyn rrugët e kryeqytetit të Kosovës për të pritur heroinën kampione të xhudos Majlinda Kelmendi, e cila u kthye në shtëpi pasi fitoi medaljen e artë në RIO 2016, në pjesëmarrjen e parë të shtetit të vogël ballkanike”, vazhdon shkrimi i Reuters.

“Kur ajo fitoi kam qarë si fëmijë. Ky është momenti më i mirë i jetës sime që nga shpallja e pavarësisë”, ka deklaruar 62 vjeçari Emin Krasniqi për Reutres, përcjell Lajmi.net.