Bunjaki: Nuk i kam takuar Behramin, Shaqirin e Xhakën

Sport August 16, 2016 - 22:04

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, e ka mohuar lajmin se është takuar me yjet kosovarë të Zvicrës, Valon Behrami, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka.

Kjo është deklarata e trajnerit kosovar, i cili e ka pranuar se ka qenë në Angli, por që është takuar vetëm me Bersant Celinën.

“Kam përcjellë me shqetësim disa prej lajmeve të dhëna orëve të fundit lidhur me futbollistët Kosovar që aktualisht luajnë për reprezentacione tjera. Prandaj dua që njëherë e qartë të demantoj ato shkrime në të cilat flitet për takime të mija me futbollistët në fjalë. Është e vërtetë që unë kam qenë në Angli në fundjavë, por në udhëtimin tim atje unë kam taktuar futbollistin aktual të Kosovës, Bersant Celinën si dhe bashkëlojtarin e tij te Manchester City, Sinan Bytyqin, i cili sot e tha publikisht se ka vendosur të luaj për Kosovën, pikërisht pas takimit që patëm, me c’ rast i’a shpjegova në detaje projektin tonë.

Këto janë të vetmet takime që kam pasur në Angli gjatë këtyre ditëve, kurse lajmet për takime tjera janë plotësisht të pavërteta dhe si të tilla janë shumë të dëmshme për procesin në të cilin aktualisht ndodhet Kosova apo edhe vetë këta futbollist. Duke pas parasysh ndjeshmërinë tejet të madhe të këtij procesi, kërkoj nga të gjithë që të jenë të kujdesshëm në deklaratat që japin, kurse nga mediat kërkoj që të mos plasojnë informacione të pakonfirmuara. Ky demantim është prononcimi im I vetëm në lidhje me këtë proces dhe deri në fund të kësaj periudhe nuk do të flas më për këtë cështje.

Me nderime,

Albert Bunjaku- Selektor i Përfaqësues së Kosovës në Futboll”. /Zëri/