Xhaka sulmohet edhe në Zvicër

Sport August 30, 2016 - 20:10

Pas letrës që publikoi sot futbollisti i Arsenalit dhe përfaqësueses zvicerane Granit Xhaka, përmes së cilës bëri të qartë se ai kishte bërë kërkesë që të luante me Kosovën pas pranimit të saj në UEFA dhe FIFA dhe se ishte i gatshëm ta linte kombëtaren e Zvicrës, kanë reaguar mediet e shtetit helvetik.

Gazeta e njohur zvicerane “Blick” ka botuar sot në versionin e saj online një artikull me një intervistë të Xhakës, të dhënë për “Blick” në muajin maj të këtij viti, rreth një muaj para fillimit të Kampionatit Evropian, në të cilën Xhaka shprehej i bindur se nuk e mendon largimin nga Zvicra.

“Para Kampionatit Evropian ai dukej krejt ndryshe. Granit Xhaka flirton me Kosovën”, është titulli i gazetës zvicerane, e cila thotë se Graniti kishte deklaruar qartazi se nuk e mendonte fare kalimin tek Kosova.

Në intervistën e majit, të publikuar edhe një herë tjetër sot në “Blick”, Xhaka thoshte se nuk do të luante për Kosovën, pasi e kishte vendosur një herë e përgjithmonë për Zvicrën. Madje kur pyetej se a do të kishte dëshirë të bëhej ndonjëherë trajner i përfaqësueses kosovare, Xhaka deklaronte: “Përse jo i kombëtares së Zvicrës”.

“Blick” pretendon se Granit Xhaka nuk u tregua i sinqertë me zviceranët, dhe se gjatë gjithë kohës ka “flirtuar” me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Kjo pas letrës së publikuar sot nga Xhaka, në të cilën ai shpjegonte pamundësinë që të luajë për Kosovën, për shkak të rregullave të UEFA-së të cilat nuk ia lejonin një gjë të tillë.

Xhaka, Behrami dhe Tarashaj janë ftuar nga përzgjedhësi i Zvicrës, Vladimir Petkoviç për ndeshjet kualifikuese të shtatorit, ndërsa jashtë listës ka mbetur futbollisti i Stoke Cityt Xherdan Shaqiri, i cili është i lënduar prej më shumë se një jave. /Insajderi.com