Basha: Prita 3 vjet për Shqipërinë, do e refuzoja një ftesë nga Kosova

Sport September 02, 2016 - 20:13

Mesfushori i kombëtares shqiptare, Migjen Basha, ka dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp së bashku me mesfushorin tjetër Jahmir Hyka.

Futbollisti i Barit ka folur për vështirësinë e Shqipërisë në gjetjen e golit, objektivat në grupin kualifikues të Botërorit, ndeshjen me Maqedoninë, dhe temën e një kalimi të mundshëm te Kosova.

Në 4 ndeshjet e fundit kemi shënuar vetëm 1 gol. A mendoni se trajneri duhet të ndryshojë diçka për këtë gjë?

Sigurisht që ekipi ka shënuar pak në ndeshjet e fundit, por mos harrojmë që përballë kemi pasur Francën, Zvicrën, Rumaninë, pra kundërshtarë mjaft të vështirë. Duhet pasur parasysh që skuadrës sonë i ka munguar pak a shumë guximi përballë këtyre ekipeve me eksperiencë në Europianë apo Botërorë, ndaj dhe kemi tentuar ta kalojmë grupin me barazime. Nuk ia arritëm edhe pse humbjet me Zvicrën dhe Francën nuk i kemi merituar, por fakti është që kemi bërë shumë pak gola dhe në të ardhmen nëse duam të bëjmë diçka më mirë duhet të shënojmë më shumë. Nuk qëndron problemi te sulmuesët por te mënyra sesi luajmë ne, pasi shpesh herë mbetet vetëm 1 sulmues përpara dhe ka nevojë për më shumë mbështjetje nga lojtarët e krahut ose nga mesfushorët. Mënyra e lojës varet edhe nga kundërshtari pasi kur luajmë kundër Francës është normale që do të mbrohemi, ndryshe mund të pësojmë 5-6 gola. Tani të shohim ndaj Maqedonisë çdo të bëjmë. Sigurisht që do ta fillojmë me fitore, por a do të shënojmë 1 gol apo 2 gola nuk ka shumë rëndësi, mjafton të shënojmë 1 gol më shumë se kundërshtari dhe të fitojmë ndeshjen.

Sa e njihni Maqedoninë? A keni parë ndonjë video këto ditë?

Nuk kemi filluar ende ta studiojmë kundërshtarin. Do të fillojmë sot me këtë pjesë pasi ishim fokusuar te Maroku dhe dje kemi qënë pushim. Nuk e njohim shumë kundërshtarin dhe e dimë që nuk do të jetë e lehtë. Pas arritjes së Europianit shumë tifozë mendojnë se duhet ta mposhtim pa asnjë problem Maqedoninë, por nëse mendojmë ashtu dhe ne lojtarët atëherë po bëjmë gabim të madh pasi nuk do të jetë e lehtë.

E menduat këtë që sapo thatë me Marokun?

Jo nuk e kemi menduar pasi në një rast të tillë do kishim dalë të gjithë në sulm dhe do kishim pësuar 2-3 gola. Nuk duhet të harrojmë që Maroku është një ekip i mirë. Sigurisht që nuk mund të krahasohen ndeshjet miqësore me ato zyrtare, por prap besoj se kemi bërë një ndeshje deri diku të mirë kundër Marokut.

U fol për mungesën e golave. Normalisht që ju si lojtarë do të zbatoni udhëzimet e trajnerit, por a mendoni se Shqipëria mund dhe duhet të guxojë më shumë?

Keni të drejtë por siç thashë dhe më parë varet nga kundërshtari. Në momentin që kemi përballë Francën duhet të mbrohemi, ndërsa kur kemi përballë ekipe si për shembull Maqedonia, atëherë duhet të guxojmë më shumë sepse luajmë në vendin tonë, është ndeshja e parë dhe duhet ta fillojmë sa më mirë duke marrë pikët. Nuk e dimë ende si do të luajmë pasi ndaj Marokut provuam disa skema, por do të vendoset këto ditë.

De Biazi tha që FSHF nuk i ka vendosur asnjë objektiv në këto eleminatore. Juve ju ka transmetuar ndonjë objektiv?

Trajnerët flasin në tjetër mënyrë me mediat dhe në tjetër mënyrë me lojtarët. Edhe nëqoftëse trajneri nuk na thotë gjë, secili lojtar duhet ta ketë një objektiv në mendjen e tij. Nëse futemi në fushë kundër Maqedonisë dhe mendojmë për barazim, atëherë jemi komplet gabim. Po flas për grupin në përgjithësi… Të gjithë lojtarët duhet të mendojnë për ndeshjen e radhës. Tani duhet të fokusohemi te Maqedonia dhe çdo herë duhet të kërkojmë të fitojmë, më pas ka ndeshje që mund t’i fitosh por ka edhe nga ato që nuk mund t’i fitosh. Kur e fillon mirë, mund të mendosh më pas pak a shumë për objektivat që ke, siç bëmë dhe në kualifikueset e Europianit. Fitorja në Portugali na dha shumë shpresa për të ardhmen dhe bëmë diçka që nuk e kishim bërë më parë.

Image

Mbrojtja e ekipit është solide pasi ndryshon shumë pak, ndërsa mesfusha ndryshon shpesh. A është kjo gjë presion për ju lojtarët?

Nuk është presion i madh. Ne kemi fatin që kemi shumë mesfushorë të gatshëm për të luajtur titullarë pasi të gjithë luajmë në kampionate me nivel të mirë dhe plotësojmë njëri-tjetrin. Kjo është diçka shumë pozitive. Kushdo që ka luajtur ka bërë punën e duhur. Në krahasim me kualifikueset e Europianit ku ne ishim ekip sfidues, këto kualifikuese kanë shumë ndryshime pasi jemi në një grup ku ndeshemi me 2 favoritë të mëdhenj ndërsa me të tjerët jemi superiorë dhe duhet të marrim maksimumin.

A është ekipi gati të përballet me një ndryshim të tillë?

Sigurisht që Maqedonia, Izraeli apo Lihtenshtejni nuk mund të krahasohen me Spanjën e Italinë, por kur je futbollist profesionist duhet t’i vlerësosh të gjithë njësoj. Do të jetë e vështirë kundër të gjithëve. Siç e thashë ne duhet si fillim të përgatitemi mirë dhe të fitojmë ndeshjen ndaj Maqedonisë, më pas të mendojmë për të tjerat. Grupi i lojtarëve nuk ka ndryshuar, përveç largimit të Lorikut, ndaj sigurisht që do të jemi gati për këto ndeshje.

Image

A ke pasur ndonjë ftesë nga Kosova apo ju vetë keni pasur dyshime për të vazhduar me Shqipërinë?

Nuk kam marrë ftesë nga Kosova, por edhe nëqoftëse do të merrja do ta refuzoja. Unë kam pritur 3 vjet e gjysëm për të luajtur me Shqipërinë dhe nuk do të ishte normale të largohesha. Objektivi im ka qënë gjithnjë Shqipëria.

Shumë tifozë akuzojnë për tradhti lojtarët që kanë luajtur për Shqipërinë dhe janë larguar te Kosova. A kanë të drejtë dhe tifozët kosovarë të akuzojnë për tradhti për ju që do vazhdoni me Shqipërinë dhe nuk do shkoni te Kosova?

Nuk dua të flas fare për këtë temë pasi në çdo rast këtu del tradhtar. Tradhtar je kur luan për Shqipërinë, tradhtar kur luan për Kosovën, tradhtar kur luan për Zvicrën. Nuk ia vlen të bisedohet për këtë temë. Zgjedhja e kujtdo është personale dhe i urojmë suksese të gjithëve.

Image