Vendimi i pazakontë, Shkëndija përjashton 2 lojtarë që nuk pranuan rinovimin

Sport September 17, 2016 - 19:38

Egzon Bejtullai dhe Besir Demiri nuk bëjnë më pjesë në planet e Shkëndijës.

Klubi nga Tetova përmes një komunikate zyrtare për media ka bërë sot me dije se dy futbollistët do të lihen jashtë ekipit pasi nuk kanë pranuar rinovimin e kontratave që u skadojnë në fund të këtij sezoni.

Image

“Duke u nisur nga nevoja e përcaktimit strategjik të statusit të lojtarëve që u paraqitën shumë mirë në rrugëtimin e klubit deri këtu, bordi i pronarëve, së bashku me shefin e stafit teknik dhe kryesinë e klubit bënë të përpjekje maksimale për të vazhduar kontratat e futbollistëve.

Në këtë proces, u vazhdua kontrata edhe për tre vite me Besart Ibraimin, për dy vite me Kostadin Zahovin, ndërkohë që nuk u gjet mirëkuptimi edhe nga Egzon Bejtullai e Besir Demiri, të cilëve klubi u propozoi vazhdimin e kontratave së paku edhe për dy vite tjera, duke u ofruar dyfishimin e pagës financiare aktuale”, thuhet në njoftim.

Image“Përkundër kësaj dhe periudhës gati njëmujore gjatë së cilës klubi priti përgjigjen e tyre, – vijon deklarata, – në fund mori refuzimin për gatishmërinë e tyre për të vazhduar këtë rrugëtim të përbashkët. Në këto rrethana, statusi i tyre në klub do të ndryshojë dukshëm dhe ata do të kalojnë në regjimpasiv, deri në skadimin e plotë të kontratave”.

Image

Vendimin e ka mbështetur edhe trajneri Bruno Akrapoviç, sipas të cilit nuk do të ishte e kuptimtë që bazën e ekipit ta ndërtonte me futbollistë të cilët të ardhmen e tyre e shikojnë jashtë Shkëndijës. “Mua si trajner më vjen keq për këtë situatë të krijuar. Megjithatë situata është e tillë, që klubi planifikon të ardhmen në plan afatgjatë dhe në këtë drejtim do të llogaritet vetëm në futbollistë të cilët janë 100% të përqendruar në sukseset e klubit dhe assesi për lojtarë që mendojnë vetëm për karrierat e tyre personale, të cilët të ardhmen e tyre e shohin jashtë Shkëndijës”, deklaroi tekniku boshnjak.

Shkëndija nënvizon se “strategjia afatgjatë për zhvillimin dhe rritjen e klubit kërkon një disiplinë dhe përcaktim pa llogari individuale, me qëllim përmbushjen e objektivave strategjike të klubit me një sponsor kaq serioz, stabil dhe strategjik. Më se tre vite që nga momenti kur ‘Ecolog tha Po’, asnjëherë nuk mbeti i papërmbushur asnjë detyrim i vetëm i paraparë në kontrata të klubit ndaj asnjë futbollisti, pavarësisht nga paraqitjet dhe kontributi i tyre”.

Image

Sipas klubit kuqezi, për këtë përkushtim të sponsorit kërkohet edhe përkushtimi individual dhe ekipor i çdo lojtari, për të përmbushur objektivat e klubit, gjithashtu aq të dëshiruara edhe nga tifozët në përgjithësi dhe “Ballistët” në veçanti.

“Egzonit, Besirit dhe gjithë të tjerëve që mund të gjenden në situata të ngjashme, me kohë u janë shpjeguar gjithë këto objektiva, duke kërkuar prej tyre përcaktim në të mirën e dy palëve, por që për rrethana të pakuptueshme për klubin, u refuzuam! Përgjegjësinë për fatin e tyre profesional e mbajnë vetë futbollistët si kontraktues profesionalë në klubin që u rritën tash e sa vite bashkë me ne. KF Shkëndija ndjen keqardhje për këtë situatë të krijuar, por ishin vetë futbollistët që zgjodhën këtë rrugë”, përfundon komunikata.