FSHF u trembet parullave për Palestinën, ja çka ndodh nëse mbani një të tillë

Sport November 07, 2016 - 20:40

Federata Shqiptare e Futbollit u trembet sjelljes së tifozëve në ndeshjen ndaj Izraelit.

Veçanërisht shqetësuese për FSHF-në janë parullat politike lidhur me Palestinën që mbështetësit e ekipit tonë mund të shpalosin në shkallët e “Loro Boriçit” të shtunën

Për këtë arsye, Sekretari i Përgjithshëm i institucionit të futbollit në vend, Ilir Shulku, ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj tifozëve që do të përcjellin mesazhe politike apo hedhin fishekzjarrë e flakadanë.

“Nëse do të ketë tifozë të tillë që do të mundohen të shpalosin banderola të tilla politike në stadium, pa diskutim që do të jetë një gjë shumë e dëmshme për Kombëtaren shqiptare, pasi UEFA dhe FIFA i dënojnë këto gjeste. Por bëj thirrje dhe një apel që askush të mos guxojë të bëjë gjeste të tilla, pasi do të ketë monitorim të rreptë dhe nëse ata guxojnë, do të kenë masa të ashpra penale. E them me bindje që njerëz të tillë do të arrestohen në moment. Nëse do të kenë raste të tilla, do të ketë masa shumë të forta, jo sportive, por masa penale”, deklaroi Shulku për “News24”.

“Duke marrë shkas nga këto fenomene, – vijoi ai, – kemi filluar kontaktet me grupet e tifozërive, ku u kemi kërkuar që të jenë të kujdesshëm në hedhjen e parrudhave dhe flakadanëve apo fishekzjarrëve. Mendoj se kemi arritur në një gjuhë të përbashkët, ku dhe ata na kanë mirëkuptuar. Ne nuk kemi një federatë e pasur, pasi këto para që paguajmë si dënim për gjeste antisportive mund të ishin të ardhura që mund të përdoreshin për të ndërtuar fusha apo zhvillimin e futbollit”.