Çka ka Prishtina?
Sigal Prishtina nuk po di assesi të këndellet këtë edicion. Pas dështimit në FIBA Europe Cup, Bardhekaltrit po kanë paraqitje të zbehtë edhe në Ligën Ballkanike, në të cilën kanë dominuar në dy edicionet e fundit, shkruan zeri.info.
Skuadra kosovare e ka pësuar mbrëmë humbjen e katërt këtë edicion në këtë kompeticion nga gjashtë ndeshje të zhvilluara (ka edhe dy fitore), derisa është dorëzuar në Mal të Zi përballë ekipit vendës, KK Teodo, i cili fitoi me rezultat 88:68.
Çereku i parë ka qenë i nivelizuar dhe atë e fituan malazezët 15:14, ndërsa në atë të dytë më të mirë ishin kosovarët, 22:19, për ta mbyllur pjesën e parë me dy pikë epërsi, 36:34.
Por, periudha e tretë ishte fatale për Edmond Azemin me shokë pasi vendësit e fituan atë 23:11, për t’u shkëputur në rezultat. Mikpritësit e shtuan avantazhin në periudhën e fundit deri në 20 pikë, me të cilën distancë u mbyll edhe kjo lojë (çereku i katërt 31:21).
20 pikët e Drilon Hajrizit dhe 17 të Malcolm Rhett ishin të pamjaftueshme për kampionin aktual të Ligës Ballkanike, derisa tek malazezët u shquan Milan Stanojevic me 22 pikë dhe Nikola Vucurovic me 20. /Zëri/