Pas humbjeve zhgënjyese, basketbollistët kosovarë u panë në diskotekë

Sport December 31, 2016 - 17:22

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka bërë përpjekje të çmueshme për t’i kënaqur kosovarët me pjesëmarrjen e parë të Përfaqësueses së Kosovës në kualifikimet e Kampionatit Evropian “EuroBasket 2017”.

FBK-ja kishte natyralizuar edhe lojtarë të huaj, e kishte angazhuar trajnerin më të mirë vendor, por kishte kryer edhe shumë punë tjera të vështira.

Por, pa sukses. Përfaqësuesja kosovare ka zhgënjyer keq, duke i regjistruar gjashtë humbje të thella dhe asnjë fitore në grup me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë.

Por, ajo që ka rënë në sy e që faktikisht nuk është bërë shumë e madhe, dhe që meriton kritika, është padisiplina që e ka përcjellë gjatë gjithë kampanjës kualifikuese skuadrën shtetërore.

Për më tepër, pas ndeshjes së fundit me Bullgarinë disa basketbollistë të Kosovës janë parë në një diskotekë në Prishtinë, në të cilën po kënaqeshin dhe sikur kishin harruar eliminimin turpërues.

Sidoqoftë, kjo ishte pjesëmarrja e parë e tyre në një kampanjë kualifikuese, mbesim me shpresë se ata do të vetëdijesohen se kanë marrë barrën e përfaqësimit të një shteti e të një populli. 

Ndërkohë, skuadrat kosovare të basketbollit, Sigal Prishtina, Peja, Bashkimi e Trepça, kanë pasur paraqitje solide në Ligën Ballkanike.

Madje, Bardhekaltrit e kanë fituar krejt këtë trofe, për herë të dytë radhazi. Mirëpo, paraqitjet e prishtinasve dhe pejanëve në FIBA Europe Cup ishin zhgënjyese.

Ato nuk arritën ta kalonin as fazën e grupeve dhe tashmë është e qartë se dy gjigantët e Kosovës mbesin larg nivelit të skuadrave të respektuara evropiane.

Në anën tjetër, klubet kosovare vazhdojnë të jenë të dhëna pas lojtarëve, por edhe trajnerëve, të huaj dhe pak po i kontribuojnë Përfaqësueses, në aspektin e prodhimit vendor. /Zëri/

Image