Të trofeshmit e Kosovës

Sport December 31, 2016 - 18:13

Viti 2016 po shkon, por ai do të lërë gjurmë për disa klube sportive të Kosovës.

Ndeshje interesante dhe dramatike u zhvilluan në sporte të ndryshme, dikush festoi e dikush u zhgënjye.

E nisim me futbollin. Për të tretin vit me radhë, Feronikeli e dominoi sportin e luajtur me këmbë.

“Nikli” e fitoi prapë titullin e kampionit, përmes të cilit synonte të dilte në Evropë, por kriteret e paplotësuara e lanë jashtë Ligës së Kampionëve.

Për dallim nga kampionati, skuadrës nga Drenasi në garat tjera nuk i shkuan punët siç deshi, pasi Kupa e Kosovës i takoi FC Prishtinës, e cila në finale e mundi Dritën, ndërsa Bardhekaltrit u treguan të suksesshëm edhe në Superkupë, ku e mundën pikërisht kampionin, Feronikeli.

Në basketboll ka vazhduar dominimi i Sigal Prishtinës, e cila e mundi në finale Pejën. Prishtinasit e fituan edhe Kupën e Kosovës, ku e mundën po ashtu Pejën.

Në hendboll, Besa Famiglia ka qenë sërish e pakonkurrencë, duke e fituar titullin pa asnjë humbje.

Gjithashtu, pejanët e fituan edhe Kupën e Kosovës pasi e mundi në finale Kastriotin. /Zëri/