UEFA e FIFA fuqizojnë pavarësinë e Kosovës

Sport December 31, 2016 - 19:27

Viti 2016 ishte më i ndritshmi në historinë e bujshme të sportit numër 1 të Kosovës, futbollin.

Kjo pasi futbolli kosovar doli në dritë nga një izolim i tmerrshëm, në të cilin kishte qëndruar me dekada, shkruan gazeta Zëri.

Ëndrra e kahershme e kosovarëve u bë realitet në muajin maj, kur Kosova u bë anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s, dëshirë kjo me të cilën po jetonte një popull i tërë, e të cilën fatkeqësisht nuk e kanë shijuar shumë gjenerata para nesh, të cilët kanë shkuar në botën tjetër me “sy qelë”.

Kosova u bë lajm botëror më 13 maj, kur Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, në mbledhjen që e mbajti në Budapest, vendosi ta pranojë kërkesën për anëtarësim të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të cilën kërkesë e kishte marrë qysh prej vitit 1992, kur futbolli kosovar ishte pavarësuar nga ai i ish-Jugosllavisë.

Prej asaj kohe futbolli ynë e kishte hequr të “zinjtë e ullirit” dhe luftonte për ekzistencë, ndërsa arena ndërkombëtare ishte e mbyllur për kosovarët, pasi UEFA e FIFA vazhdimisht po e injoronin një të drejtë fundamentale të gjeneratave të reja, të shëndosha dhe premtuese të Kosovës.

Edhe pse Kosova nuk ishte anëtare e OKB-së, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s e pranoi vendin tonë përmes një procesi të komplikuar të votimit, përkundër disa kundërshtimeve të fuqishme, të cilët humbën karshi të së drejtës së Kosovës. Në momentin kur në Budapest u shkrua historia, gazetarët sportiv nga Kosova që po e përcillnin nga afër ngjarjen shpërthyen në lot gëzimi, të cilat imazhe vërshuan botën. Kurse, në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën populli po e festonte njërën prej të arriturave më të mëdha të Republikës së Kosovës, që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Anëtarësimi në UEFA i kishte hapur rrugë FIFA-s që ta bëjë edhe ajo aktin e njohjes së Kosovës. Vetëm dhjetë ditë më vonë, përkatësisht më 13 maj, në Kongresin e FIFA-s në Meksikë u votua me shumicë votash “Pro” pranimit të Kosovës. Në këtë mënyrë, Kosova u bë anëtare e barabartë me të gjitha vendet tjera anëtare të këtyre organizatave, që konsiderohen ndër më të mëdhatë në planet, ani pse në mesin e tyre ka plot vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Derisa Serbia po e vazhdon luftën kundër anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), Kosova ka debutuar në kualifikimet e Botërorit “Rusia 2016”, duke luajtur kundër Finlandës, Kroacisë, Ukrainës e Turqisë në fazën grupore, ku e ka regjistruar një barazim dhe tri humbje të thella. Ndërkohë, UEFA ua ka hapur dyert edhe klubeve të suksesshme të kampionatit kosovar, ndërsa femrat e Hajvalisë veç kanë debutuar. Garat e UEFA-s tashmë i ka shijuar me sukses edhe Feniksi në futsall. /Zëri/