Krejt bota është jona

Sport December 31, 2016 - 20:50

Kosova nuk do të mundë ta mendonte një debutim më të mirë sesa që e bëri në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, shkruan gazeta Zëri.

Qysh në debutim Kosova e ka mbyllur në pozitën e 54-të aventurën e parë të saj në ngjarjen më të madhe sportive, në të cilën morën pjesë 200 shtete, të cilat u përfaqësuan me numër të madh sportistësh, kurse vendi ynë vetëm me tetë sosh, arriti t’i lërë prapa pjesën dërrmuese të tyre.

Ndërkaq, sa i përket mesatares së popullsisë, Kosova ka përfunduar në pozitën e 32-të, me një medalje për 1.8 milion banorë.

Dhe, meritat e krejt kësaj mrekullie i takojnë Majlinda Kelmendit, e cila arriti të fitojë medalje të artë në Olimpiadë, pasi triumfoi në sportin e xhudos, në kategorinë 52 kg. “Fitorja ime ishte një moment që e kam ëndërruar gjithmonë dhe ende nuk mund të besoj se ka ndodhur mrekullia”, ka thënë kampionia absolute botërore.

Ish-përfaqësuesja e Shqipërisë ka potencuar se në medaljen e saj ka hise i gjithë kombi shqiptar e jo vetëm Kosova.

“Për një kohë të gjatë atletët e Kosovës nuk kanë pasur mundësinë e përfaqësimit të vendit, andaj është e mrekullueshme që në Olimpiadën e parë e fituam medaljen e artë. Unë i kam parë festimet e mëdha që janë bërë në Kosovë. Të gjithë njerëzit ishin të lumtur. Si në Kosovë, si në Shqipëri jemi i njëjti popull. Prandaj garimi për Shqipërinë dhe tani për Kosovën tregon se unë kam përfaqësuar popullin tim gjithmonë”, është shprehur Majlinda, në suksesin e së cilës merita të jashtëzakonshme ka edhe trajneri i saj, Driton Kuka.

Në fakt, Majlinda ua “shpëtoi fytyrën” shtatë garuesve tjerë kosovarë, të cilët patën paraqitje të zbehta.

Sidoqoftë, xhudistja tjetër, Nora Gjakova, pastaj Musa Hajdari e Vijona Kryeziu në atletikë, Lum Zhaveli e Rita Zeqiri në not, Qëndrim Guri në çiklizëm dhe Urata Rama në shenjëtari shijuan eksperiencë të paharrueshme në Olimpiadë.

Majlinda Kelmendi kishte shkuar në “Rio 2016” me optimizëm se do ta fitojë të vetmen medalje që po i mungonte në dhomën e shtëpisë së saj në Pejë.

Ajo ishte prijëse e ekipit kosovar, i cili ngjalli emocione të papërshkrueshme te miliona shqiptarë teksa po defilonte në ceremoninë madhështore të hapjes së Olimpiadës.

Tanët ishin me uniforma të ngjyrave të flamurit shtetëror, të cilin po e mbante xhudistja numër 1 në botë. /Zëri/

Image