Shqipëria i jep leksion Anglisë, kalon turin e parë

Sport January 25, 2017 - 21:45

Shqipëria e futsallës mund Anglinë dhe kualifikohet në turin tjetër të Kampionatit Europian.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Erind Resuli, pas leksionit që i dhanë Bullgarisë vendase një ditë më parë, duke e mundur 7-1, kanë regjistruar sot një tjetër fitore të thellë, duke mposhtur 5-1 Anglinë, për të prerë biletën për në fazën tjetër të turneut, falë edhe fitores së Bullgarisë ndaj Maltës.

Golat e Karajas dhe Selmanajt në pjesën e parë të ndeshjes bënë shumë të thjeshtë administrimin e situatës për përfaqësuesen shqiptare në fraksionin e dytë të lojës.

Anglia, e detyruar të nxirrte në sulm edhe me portierin për të tentuar rikuperimin e rezultatit, la shumë hapësira në prapavijë.

Ndaj Brahimi shënoi me lehtësi golin e tretë për Shqipërinë para se Ballinger të shkurtonte diferencën në 3-1.

Por pasiguria zgjati vetëm pak minuta pasi fillimisht kapiteni Halimi e më pas përsëri Brahimi, realizuan dy gola në portën angleze për të vulosur rezultatin 5-1.