Juventusi, finalisti i parë i Championsit

Sport May 09, 2017 - 22:36

Juventusi e ka konfirmuar sonte kualifikimin në finale të Ligës së Kampionëve. “Bianconeri” janë treguar dominues dhe bindës në përballjen e dyfishtë gjysmëfinale me Monacon, të cilën e mposhtën dy herë.

Fillimisht, një javë më parë italianët fitonin në Principatën e Francës 2:0, duke e bërë një hap të madh drejt finales, të cilën e vulosën të martën mbrëma me fitoren në “Juventus Stadium” me rezultat 2:1.

Përkundër kapitalit që e kishte krijuar në lojën e parë, kampioni italian u vërsul kah porta franceze që nga minuta e parë.Image

Dhe, ekipi i Massimiliano Allegrit e gjeti golin e parë në minutën e 33-të përmes sulmuesit shtatgjatë, Mario Mandzukic, i cili e mori një top maestral nga Daniel Alves nga e djathta.

Mbrojtësi brazilian e konfirmoi formën e jashtëzakonshme të muajit të fundit duke e shënuar një gol spektakolar në minutën e fundit të pjesës së parë, për ta afruar edhe më shumë Juventusin me finalen e Championsit.

Ajo që mundën të bënin francezët ishte ta ngushtonin rezultatin në minutën e 69-të me anë të sulmuesit të rrezikshëm, Kylian Mbappe Lottin.Image

Mirëpo, ky gol ishte i pamjaftueshëm për ekipin mbretëror francez pasi Juve kishte avantazh të dukshëm në rezultat të përgjithshëm prej 4:1.

Juventusi e siguroi finalen e dytë brenda tri sezonesh, pasi në vitin 2015 ishte mposhtur në finale nga Barcelona.

“Bianconeri” kanë dominuar thuajse qe një dekadë në futbollin italian, ndërsa tash janë të vendosur që ta dërgojnë në Torino edhe trofeun e Championsit, të cilin nuk e fitojnë qe 20 vjet. /Zëri/