UEFA shkrim special për ikjen e italianit: Përralla e De Biassit përfundoi, heroi përshendet Shqipërinë
UEFA.com i ka dedikuar një shkrim special largimit të De Biassit nga kombëtarja shqiptare. “Përralla” e Gianni De Biassit përfundoi, shkruhet në sajtin e UEFA.com.
Pas pesë vite e gjysmë në krye të pankinës, njeriu që i dhuroi kualifikimin historik Shqipërisë në një turne të rëndësishëm ndërkombëtar, mbyll aventurën si trajner.
Ish-tekniku i Brescia, Torino e Udinese u ul në stolin kuqezi në dhjetor të vitit 2011. Pasi nuk arriti të sigurojë një biletë për në Botërorin 2014, italiani arriti suskesin në EURO 2016. De Biasi drejtoi Shqipërinë në kualifikimin historik në Europianin e Francës, falë renditjes në vend të dytë në Grupin I, pas Portugalisë.
Italiani e drejtoi skuadrën debutuese mjaft mirë edhe në Europian, duke u renditur në vend të tretë në grup, duke lënë pas Rrumaninë, por për shkak të golavarazhit nuk arriti të kalojë në fazën me eliminim direkt.
Lamtumira e tij nga Shqipëria ishte emocionuese, me një letër të shkruar në faqen e tij zyrtare.
Shqipëria tashmë mbetet pa trajner, pasi ende nuk është zgjedhur pasardhësi i Gianni De Biassit. Kuqezinjtë ndodhen në vend të tretë në grupin e tyre pas Spanjës dhe Italisë.