EUROPA LEAGUE: Feston Shkëndija, gjunjëzon Helsinkin

Sport July 13, 2017 - 19:49

Shkëndija e ka bërë një hap të madh drejt kualifikimit në rrethin e tretë eliminator të Europa Leagues, shkruan zeri.info.

Skuadra tetovare e ka regjistruar të enjten një fitore të madhe në Strumicë me rezultat 3:1 ndaj Helsinkit, në duelin e parë në mes tyre në kuadër të rrethit të dytë eliminator.

Kuqezinjtë janë treguar superiorë ndaj finlandezëve, duke i mposhtur me meritë dhe duke i krijuar vetes avantazh prej dy golash para ndeshjes së kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave në kryeqytetin finlandez.

“Hat-Trick” i Ibraimit

Besart Ibraimi ka qenë hero i Shkëndijës në ndeshjen e djeshme të zhvilluar në Maqedoni. Sulmuesi shqiptar ka qenë i pandalshëm për kundërshtarët, ndërkohë që ka realizuar edhe “Hat-Trick”.

Në fakt, të parët që kaluan në epërsi ishin finlandezët, të cilët befasuan me golin e realizuar nga Ousman Jallow në minutën e 35-të të ndeshjes.

Mirëpo, i menjëhershëm ka qenë reagimi i nënkampionëve të Maqedonisë, të cilët e barazuan rezultatin në minutën e 45-të përmes Ibrahimit, që shënoi nga penalltia.

Sulmuesi i rrezikshëm shqiptar nga Maqedonia e ka realizuar golin e dytë personal dhe për Kuqezinjtë në minutën e 59-të.

Ndërkaq, vulë këtij takimi i dha me tregolësh, të cilin e kompletoi në minutën e 64-t, përsëri nga penalltia, duke u treguar dy herë i saktë nga 11 metërshi.

Me këtë rast, mysafirët mbetën me një lojtar më pak nga minuta e 63-të pas ndëshkimit me karton të kuq të Hanny Patronen, i cili edhe e shkaktoi penalltinë.

Shkëndija e kishte kaluar rrethin e parë me lehtësi pasi e kishte eliminuar ekipin moldav, Dacia Chisinau me rezultat të përgjithshëm 7:0.

Vitin e kaluar, tetovarët e kishin shkruar historinë me arritjet në garat evropiane. /Zëri/