EUROPA LEAGUE: Mposhtet Shkëndija, shpreson në përmbysje pas një jave

Sport July 27, 2017 - 20:20

Skuadra shqiptare, Shkëndija është mposhtur në duelin e parë të rrethit të tretë kualifikues të Europa Leagues, që u zhvillua sonte, shkruan zeri.info.

Kuqezinjtë kanë pësuar humbje nga Trakai FK me rezultat 2:1.

Maksim Maksimov ka qenë hero i vendësve duke shënuar dy gola, fillimisht qysh në minutën e parë, ndërsa golin e dytë në atë të 52-të.

Nga ana tjetër, golin e vetëm për Shkëndijën e ka realizuar Stenho Junior në minutën e 39-të.

Ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 57-të, kurse punët edhe më shumë iu përkeqësuan tetovarëve në minutën e 62-të kur të kuq mori edhe Ardijan Cuculi, duke e lënë ekipin me dy lojtarë më pak në fushë.

Deri në fund, Shkëndija e “ruajti” këtë rezultat, i cili nuk është i pakthyeshëm pasi tetovarëve do t’ju mjaftonte një fitore minimale, 1:0 në shtëpi të enjten e ardhshme për ta shkruar historinë, respektivisht për të shkuar në fazën e “Play-Offit” të këtij evenimenti.