Paralajmërohet protestë për ekstradimin e ‘Ballistit’ në Serbi (FOTO)

Sport July 28, 2017 - 23:27

Pas lajmit se Ismail Morina, i njohur si Ballisti, do të ekstradohet në Serbi, ka ardhur edhe reagimi i tifogrupit “Illyrian Elite”.

Ky grup i tifozëve shqiptarë përmes një postimi në Facebook ka paralajmëruar për një protestë masive para kryeministrisë në Tiranë nga ora 19:00.

“Illyrian Elite” i ka bërë thirrje kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe organeve të tjera shtetërore që të ndërmarrin hapa sa më të shpejtë për parandalimin e ekstradimit të Ballistit në Serbi.

“Ballist Morina, heroi ynë i Beogradit. Ai që bëri krenar çdo shqiptar kudo në botë, sot vendoset që të ekstradohet në Serbi nga shteti kroat. Ne si shqiptarë nuk duhet ta lejojmë kurrsesi të ndodhë diçka e tillë dhe duhet të jemi në krahë të vëllait tonë, Ismailit. Nesër do të mblidhemi të gjithë, pa dallim tifogrupi, të gjithë që e ndjejmë veten shqiptarë, të mblidhemi para kryeministrisë për një protestë masive. I bëjmë thirrje kryeministrit dhe organeve të shtetit të veprojnë sa më shpejtë dhe mos të lejojnë të ndodh ekstradimi i Ballistit. Nesër te kryeministria në ora 19:00”, shkruan Illyrian Elite në Facebook.

Opinion.al sot ka raportuar se Morina, i njohur për autorësinë e ngritjes së dronit në Beograd me flamurin “Autochthonous” gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri më 14 tetor 2014, vazhdon të jetë pas hekurave në Kroaci, aty ku qëndron i ndaluar prej afro një muaji.

Nga informacionet e fundit ekskluzive që disponon Opinion.al Morina ka dalë tri ditë më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Dubrovnikut, ku është vendosur ekstradimin e tij në Serbi, pasi sikundër dihet prej afro dy vitesh në emër të këtij shtetasi ka një urdhër ekstradimi nga shteti serb lidhur mbi ngjarjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri ku ngritja e një droni me flamurin të mbishkruajtur “Autochthonous” solli trazira në stadium dhe më pas ndërprerjen e ndeshjes.

Ndeshje të cilën Shqipëria e kishte fituar me rezultat zyrtar 0-3, pas vendimit të CAS-it.

Image