Zemra e Kosovës

Sport August 02, 2017 - 22:25

Kosova e ka nisur me fitore kampanjën parakualifikuese për Botërorin “Kina 2019”. Të udhëhequr nga i shkëlqyeshmi Dardan Berisha, “Dardanët” të mërkurën mbrëma e shfrytëzuan përparësinë e terrenit dhe përkrahjen e madhe të tifozerisë dhe e mposhtën Maqedoninë me rezultat 72:68, në ndeshjen e parë të Grupit C. Verdhekaltrit luajtën me zemër për Kosovën, të cilës ia sollën fitoren e parë të madhe. Njkohësisht, ia kthyen vendit tonë edhe shpresën e një të ardhmeje të denjë në basketboll përmes një loje që pati përfundim dramatik, raporton "Zëri".   

Në dallim prej kualifikimeve të vitit të kaluar për “EruoBasket”, në të cilat pësonte keq në çdo ndeshje rresht, Kosova e ka nis krejt ndryshe  - shumë më mirë - kampanjën parakualifikuese për Kampionatin Botëror të basketbollit “Kina 2019”.

Të përkrahur nga grupi i tifozëve, “Dardanët”, Verdhekaltrit e nisën me fitore aventurën e re të organizuar nga FIBA, ku e regjistruan triumfin e parë e të shumëpritur prej anëtarësimit në këtë organizatë.

Zëri shkruan se ekipi i “Dardanëve” – i prirë nga i pandalshmi Dardan Berisha - e shfrytëzoi Prishtinën e saj, ku e mposhti Maqedoninë me rezultat 72:68 në ndeshjen e parë të Grupit C, pjesë e të cilit është edhe Estonia. Në këtë mënyrë, Kosova e bëri hapin e parë dhe të madh për t’iu shmangur vendit të fundit në grup, gjë që i mjafton për shkuar në kualifikimet e Botërorit të radhës. Është pikërisht ky synimi kryesor i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).

Dhe, për këtë komplimente meritojnë basketbollistët, të cilët u paraqitën krejt ndryshe prej vitit të kaluar. Treguan disiplinë, luajtën me zemër, bartnin me përgjegjësi fanellën e shtetit të tyre, dhe në fund shënuan fitoren e shumëpritur, me të cilën “demantuan” skepticizmin dhe “përforcuan” shpresën e një të ardhme të denjë të Kosovës në basketboll.

Image

Kosova e udhëhequr nga trajneri amerikan, Brad Greenberg, qysh në çerekun e parë tregoi seriozitetin. Ata befasuan maqedonasit, të cilët në dhjetëminutëshin e parë i mundën me rezultat 23:11. “Stuhia” verdh e kaltër vazhdoi fuqishëm edhe në çerekun e dytë, të cilin e fituan me rezultat 17:9. Kështu, Kosova shkoi në pushim prej pjesës së parë me 20 pikë epërsi, përkatësisht me rezultat 40:20, duke e paralajmëruar një triumf gati të sigurt.

Maqedonasit në çerekun e tretë hynë më të mobilizuar, por edhe me më shumë fat, pasi saktësia nga gjuajtjet për tri pikë u ndihmoi ta fitojnë këtë periudhë të lojës me rezultat 15:23, duke e vënë kështu në pikëpyetje ecurinë e Kosovës drejt fitores dhjetë minuta para fundit të lojës. Maqedonasit dominuan edhe në periudhën e fundit, të cilën e fituan me rezultat 17:25. Efikasiteti i tyre e bëri fundin e lojës shumë dramatike, por që në fund fituan ata që e merituan më shumë – kosovarët. Këta të fundit e festuan rezultatin përfundimtar, 72:68.

Pas ndeshjes, trajneri Brad Greenberg, Dardan Berisha dhe “Dardanët” tjerë u shprehën shumë të lumtur për fitoren e shënuar dhe premtuan se edhe në ndeshjet e radhës do të kërkojnë fitore të reja për t’i bërë krenarë tifozët kosovarë dhe për ta çuar Kosovën përpara. Kurse, maqedonasit u shprehën të befasuar me lojën dhe atmosferën që kishin përgatitur kosovarët, ndërsa theksuan se nuk do të dorëzohen në luftë për ta marrë kryesimin e Grupit C.

Kosova më 9 gusht do ta zhvillojë ndeshjen e radhës kundër Estonisë.

Super-Berisha

Dardan Berisha është treguar një lider i madh i Kosovës. Kapiteni kosovar e shfaqi edhe njëherë klasin e tij, duke u treguar lojtari më i mirë i ndeshjes Kosovë – Maqedoni. Me 28 pikë të shënuara, Dardani iu priu “Dardanëve” në fitoren e madhe kundër maqedonasve. /Zëri/