Heroi i finlandezëve flet për fitoren ndaj Kosovës

Sport September 06, 2017 - 17:46

S’u shkru me u gëzu! Përfaqësuesja e Kosovës nuk ia doli ta shfrytëzojë “kartën” e vetme për ta shijuar fitoren e parë në kualifikimet e Botërorit 2018.

Verdhekaltrit e deshën aq shumë fitoren, por në fund u mposhtën si vendës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës nga Finlanda me rezultat 0:1.

Pasi e kishin nxjerrë një barazim në Finlandë një vit më parë dhe duke e ditur se kjo e fundit është kundërshtarja më e pafuqishme e grupit, kosovarët e shihnin këtë si rastin më të mirë dhe jetësor për t’i regjistruar tri pikët e para dhe për ta bërë fitoren historike.

Mirëpo, gjërat nuk shkuan si duhet dhe Kosova e bëri një paraqitje të zbehtë.

Po aq e zbehtë ishte edhe Finlanda, e cila festoi falë golit të shënuar në fund të ndeshjes, respektivisht në minutën e 83-të nga Teemu Pukki, pas topit të kthyer tek ai nga portieri Samir Ujkani, që e priti paraprakisht një gjuajtje të mysafirëve.

“Nuk ishte ndeshja e jonë më e mirë. Mirëpo, kemi fituar dhe për këtë ndihemi mirë”, ka thënë pas lojës heroi i finlandezëve, Pukki. /Zëri/