Pioli arrin marrëveshje me Napolin, ende pa u konfirmuar largimi i tij nga Milani

Pioli arrin marrëveshje me Napolin, ende pa u konfirmuar largimi i tij nga Milani

Sport May 04, 2024 - 14:52

Stefano Pioli është bërë kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Napolit dhe raportohet se ka rënë dakord për një marrëveshje në parim me Aurelio De Laurentiis.

Sipas të gjitha gjasave, trajneri italian do të largohet nga Milani në fund të sezonit, duke i dhënë fund një periudhe pesëvjeçare në kryeqytetin e Lombardisë që pati shumë ngritje dhe ulje.

Milani prej pak kohësh është në kërkim të një zëvendësuesi të tij, por ende nuk ka arritur marrëveshje me ndonjë trajner.

Ndërkohë, Napoli, që është gjithashtu në kërkim të një trajneri të ri, tashmë raportohet se ka arritur marrëveshje verbale me Piolin, sipas “Calciomercato”.

58-vjeçari ka qenë në kontakt të ngushtë me presidentin, De Laurentiis, në javët e fundit dhe është bërë kandidati kryesor për të marrë drejtimin e napolitanëve në verë, pasi të zyrtarizohet largimi i tij nga Milani.

Megjithëse ende nuk ka asgjë të nënshkruar, të dy palët besohet se kanë rënë dakord për një marrëveshje tre-vjeçare në parim, duke lënë vetëm detajet përfundimtare për t’u zgjidhur. /Express/