Enis Kabashi i jep fund karrierës si lojtar, mbetet në hendboll

Enis Kabashi i jep fund karrierës si lojtar, mbetet në hendboll

Sport May 07, 2024 - 23:34

Reprezentuesi shumëvjeçar i Kosovës, Enis Kabashi, ka vendosur t’i jap fund karrierës si hendbollist. Por, 33-vjeçari do të mbetet në sportin e hendbollit.

Kabashi ka pasur karrierë shumë të suksesshme si hendbollist. Ka nisur te Trepça, ndërsa për shumë vjet ishte te Prishtina e po ashtu te Besa e Pejës. Ka fituar shumë trofe në hendbollin kosovar, ndërsa ishte edhe më i miri i vitit.

Kabashi ka nëntë vjet që luan dhe vepron në Gjermani. Prej fillimit ishte te skuadra TG Landshut Handball, ku çmohet për kontributin e dhënë.

“Jam tërhequr nga hendbolli aktiv. E kam kryer provimin për trajner të nivelit C në Gjermani dhe jam duke e ushtruar ekipin U18 të klubit gjerman Landshut. Klubin ku kam luajtur plot nëntë vjet po e lë në moment shumë të mirë. Jemi bërë kampionë këtë edicion dhe kemi hyrë në ligën e tretë gjermane. Në ligën e tretë niveli është më i lartë dhe duhet të udhëtohet goxha larg. Edhe lëndimet që i kam pasur janë prej arsyeve që kam vendosur t’i jap fund karrierës si lojtar. Hyrja në ligën e tretë ishte synimi kryesor prej që kam ardhur dhe jam i lumtur që ia dolëm”, ka thënë Kabashi.

Federata e Hendbollit e Kosovës e falënderoi Enisin për kontributin shumëvjeçar në hendbollin tonë dhe në Kombëtaren e Kosovës, ndërsa i dëshiroi suksese në karrierën si trajner. /Zëri

Image