Reagime të ashpra nga komuniteti sportiv në Kosovë për idenë e organizimit të Kampionatit Evropian nga Shqipëria dhe Serbia

Reagime të ashpra nga komuniteti sportiv në Kosovë për idenë e organizimit të Kampionatit Evropian nga Shqipëria dhe Serbia

Sport May 10, 2024 - 12:38
Lajmet e fundit nga sporti

Emra të njohur të sportit, e në veçanti të futbollit në Kosovës, kanë reaguar ashpër pas zyrtarizimit të kandidaturës së përbashkët të Shqipërisë me Serbinë për organizimin e Kampionatin Evropian 2027 për U-21.

Dje (e enjte) u konfirmua nga i pari i Federatës së Futbollit të Shqipërisë (FSHF), Armand Duka, se Shqipëria dhe Serbia kanë bërë një kandidaturë të përbashkët për organizimin e Euro 2027 për U-21.

“Në 2027 ne jemi vend kandidat për të organizuar Kampionatin Evropian për U-21. Duke qenë se ne nuk plotësojmë kushtet për të organizuar një kampionat vetëm në Shqipëri, pasi duhen tetë stadiume minimalisht, ne jemi bashkuar me Serbi në një kandidaturë për të organizuar një kampionat në Shqipëri dhe Serbi”, ka thënë fillimisht Duka.

“Pa dyshim që kjo do një angazhim të madh jo vetëm të Federatës së Futbollit, por edhe të qeverive respektive. Duhet të krijojmë disa komunikime, duhet të krijojmë disa lehtësira dhe të bëjmë të mundur.

“Mendoj se kjo është një lajm i mirë për futbollin shqiptar dhe për futbollin serb, për popullin shqiptar, për popullin serb. Në fund të fundit ne organizojmë dhe nëpërmjet sportit, pse jo të kemi një jetë më të mirë”, përfundoi i pari i FSHF-së.

I pari i FSHF-së, Armand Duka, konfirmon se Shqipëria dhe Serbia kanë kandiduar së bashku për organizimin e Euro 2027 për U-21

Ky lajm i dhënë nga i pari i FSHF-së ka bërë që reagimet të mos ndalen nga spektri sportiv, ku tifozëritë kanë qenë më të zëshmet.

Tifozët zyrtar të Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi” ishin të zëshëm duke kërkuar që të mos “kapërcejmë Kosovën për ti dhënë ndihmë Serbisë”, pasi fqinjë kemi boll dhe nuk duhet të shesim fytyrën dhe interesat etnike.

Gjatë ditës së djeshme, por edhe gjatë ditës së sotme (e premte), reagime ka pasur edhe nga figura të njohura të sportit në Kosovës, e në veçanti nga futbolli.

Trajnerë dhe ish-trajnerë si Bylbyl Sokoli, Afrim Tovërlani dhe Agron Selmani ishin shumë të zëshëm në kandidaturën e përbashkët të Shqipërisë me Serbinë për organizimin e Euro 2027.

Ish-trajneri i Ferizajt dhe disa skuadrave tjera, Selmani, e kritikoi Shqipërinë në atë që Kosovës ia merr vetëm ato që i duhet, ndërsa nuk mendohet asnjëherë ta ndihmojë me ndonjë ‘dhuratë’ për investim në infrastrukturë.

Sokoli, në anën tjetër, ishte shumë i nervozuar me faktin se Shqipëria po bashkëpunon me një armik të kombit, që ka kryer krime nga më të ndryshmet dhe ende nuk kërkon falje për krimet dhe vazhdon të pengoj rrugën e Shqipërisë dhe Kosovës në çdo instancë ndërkombëtare.

Trajner i Kosovës U-21, Tovërlani, ka pyetur se “a jeni normal”, ndërsa ka lënë të nënkuptoj se edhe i ka sharë drejtuesit e FSHF-së në lidhje me kandidaturën e përbashkët Shqipëri-Serbi për Euro 2027.

Postimi pa ndërhyrje i Agron Selmanit:

Organizimi për Euro 2027, grup-moshat U-21 Shqiperi /Serbi!?

Shqipëria ka kohë që merr vetëm ate cka ajo pretendon ose vetëm ate që asaj i duhet nga Kosova,ne nuk duhet të frustrohemi dhe të reagojm ashpër kur degjojm se Shqipëria kërkon bashkëpartner për të organizuar ndonjë eveniment të rëndësishëm sportiv siq është rasti organizimi per Euro 2027 për grupmoshat U-21 dhe aty nuk është Kosova,pra,evidente është se Shqiperia ndjek rrugën e vet dhe në këtë drejtim Shqipëria nuk heziton kur i duhet të marr edhe ndjenjat nacionaliste te shqiptarve nga Kosova.

Shqiperia preferon Serbin para Kosovës edhe duke u bazuar në argumentet e mungesës se infrastrukturës sportive. Nuk duhet harruar se Shqipëria si shtet amë në Kosovë nuk mund të shihet me asnjë objekt identitar sportiv si forme dhurate për shtetin e Kosoves, ndërkohë potencon shume ftohtë paaftësinë e Kosovës në këtë drejtim,Kosova një shtet i ri i dalur nga lufta dhe me nje milion probleme me natyra te ndryshme!

…stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë,stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë, stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë,stadiumi “Perparim Thaqi” në Prizren flasin edhe pa folur!

Po,Kosova me një të mbyllur të syve në një afat të shkurter i ka mundesit dhe potencialin ti bashkangjitet Shqiperis në partneritet te organizimit Euro 2027 per Grupmoshat U-21 por duhet të egzistoj vullneti dhe gatishmeria dhe kjo në këtë rastë mungon nga ana e Shqiperis!

Postimi pa ndërhyrje i Bylbyl Sokolit:

“Lajmi i fundit: FSHF dorëzon kandidaturën për organizimin e “EURO 2027” – U-21 së bashku me federatën serbe”.

Sa eshte politikë largëpamëse të organizosh nji kampionat me nji shtet qe kreu krime ndaj Shqipëtarve, nji shtet ku në çdo stadium shohim sllogane më morbide antiShqipëtare kurse shteti Sërb në çdo hap pengon sportistët Shqipëtar (të Kosoves) të promovohen në arenën ndërkombëtare…

Si mendoni, si do të marrin pjesë në këtë kampionat( U-21) futbollistët Shqipetarë nga Kosova Lugina e Preshevës Medvegjës dhe Bujanovcit si dhe Maqedonisë Veriore.

Si do te ndihen tani futbollistët Y.Ramadani ,

Berat Xhemshiti, Taulant Seferi , Jasir Hasani, Mirlind Daku, Ardian Ismajli, Etrit Berisha etj…???!!!

Mos shëroni komplekse inferioritetit duke tejkaluar krenarinë kombëtare, nuk tregoheni ma Evropian e më të emancipuar nëse injorohet realiteti ne rajon dhe historia e jonë.

Mos e provoni durimin Shqipetar!!!

Postimi pa ndërhyrje i Afrim Tovërlanit:

Oranizimi i evropianit te U-21 Shqipri-Serbi 2027!!!

A jeni more normal?

O robt……..