
Marquez dominon edhe në Hungari
Gara e 14-të në kalendar, në kuadër të kampionatit të motoçiklizmit MotoGP, e cila u zhvillua sot në shtegun “Balaton Park”, në Hungari, për herë të parë që nga viti 1992, i takoi liderit të kampionatit Marc Marquez.
Katalunasi krijoi distancë mbi 4 sekonda me të dytin, duke qenë jo vetëm një garë e dominuar nga Marquez, por i tërë vikendi ishte i tillë, përfshirë kualifikimet dhe Sprint garën të shtunën.
Për Marquez kjo ishte fitorja e 7-të rresht dhe e 10-ta këtë sezon nga 14-të garat e zhvilluara, dhe ky edicion dukshëm po shkon drejt një titulli tjetër për ngasësin e skuadrës së kuqe.
Podiumi u plotësua me Pedro Acosta nga KTM si i dyti dhe Marco Bezzecchi i Aprilias në vendin e tretë.
Përndryshe, kampioni i edicionit të kaluar, Jorge Martin, i cili pas lëndimit dhe mungesës në gjysmën e parë të sezonit, po kthehet në formë dhe sot shënoi rezultatin më të mirë me Aprilian, duke e kaluar vijën e finishit si i katërti.
Në vikendin e ardhshëm do të pauzohet, ndërsa gara e radhës na dërgon në Barcelonë, ku zhvillohen Grand Prix e Katalunisë, vendlindja e Marquez, dhe pretendimi për një tjetër fitore me rëndësi edhe më të veçantë për ‘El tro de Cervera’.