Fidan Aliti hesht kritikët: Në Kosovë nuk ka analiza pas ndeshjes, por humor

Fidan Aliti hesht kritikët: Në Kosovë nuk ka analiza pas ndeshjes, por humor

Sport September 09, 2025 - 08:07

Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore të madhe me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Suedisë në kuadër të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Pas përfundimit të ndeshjes, për mediat u deklarua Fidan Aliti, i cili në këtë sfidë luajti në mungesë të kapitenit Amir Rrahmani, duke bërë një paraqitje të shkëlqyer.

Aliti pati disa fjalë për kritikat e mëdha që Kosova mori pas humbjes së pësuar ndaj Zvicrës tri ditë më parë.

“Nuk ka rëndësi Fidani, apo Amiri apo Vedati. Dua t’i përgëzoj lojtarët e rinj që luajtën sot. U lumtë. Jemi mbrojtur dhe kemi pritur kundërsulmet. Kemi analizuar se çka nuk shkoi ndaj Zvicrës”.

“Këtu në Kosovë bëhen shumë analiza pas ndeshjeve. Populli ynë e meriton një analizë profesionale. Këto që po i dëgjoj nuk janë analiza, por humor”.

“Në televizione bëjnë cirkus, i shtyjnë njerëzit që të qeshin. Për mua kjo nuk është analizë profesionale. Detyra jonë nuk është t’u përgjigjemi atyre”.

“Detyra jonë është t’i injorojmë. Nuk kemi nevojë t’u përgjigjemi atyre që bëjnë shaka me lojtarët. Përgjigjja jonë ishte në fushë”, ka thënë Aliti.